Më 10.07.2026, në rajonin e Strumicës, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim dhe Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Strumicë realizuan aktivitete parandaluese në kuadër të fushatës „Mos përdor telefonin mobil gjatë drejtimit të automjetit“. Drejtuesit e automjeteve u informuan për ndalimin e përdorimit të telefonit mobil në përputhje me ligjin, si dhe për rrezikun e pasojave të padëshiruara nga përdorimi i tij gjatë drejtimit të automjeteve.
Sot (11.07.2026), nëpunës policorë nga Njësia Policore për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë NJPB Kavadar realizuan në Kavadar një aktivitet parandalues në komunikacion me temën: „Bëhu pjesëmarrës i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm në komunikacion – mbaj helmetë“. Qëllimi i aktivitetit ishte të ndikohet në rritjen e kulturës së komunikacionit te drejtuesit e mopedëve dhe motoçikletave , si dhe të ngrihet vetëdija për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion përmes respektimit të rregullave dhe dispozitave të komunikacionit. Theks i veçantë iu kushtua detyrimit për mbajtjen e helmetës, si për drejtuesit ashtu edhe për bashkëudhëtarët, me qëllim rritjen e sigurisë personale. Në kuadër të aktivitetit u shpërnda material edukativ i shtypur, i përgatitur në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Fakultetin e Sigurisë – Shkup.
Sot (11.07.2026), në sheshin e qytetit në Gostivar u mbajt një aktivitet parandalues-edukativ kushtuar sigurisë së motoçiklistëve në komunikacion. Ngjarja u organizua nga nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Tetovë, në bashkëpunim me Stacionin Policor me Kompetencë të Përgjithshme Gostivar dhe Njësinë Policore për Siguri në Komunikacionin Rrugor Gostivar, pas iniciativës dhe njoftimit paraprak nga Moto Klubi „GoBikers“ nga Gostivari. Aktiviteti është pjesë e aksionit operativ „Komunikacion i sigurt“.
Në aktivitet morën pjesë rreth 20 motoçiklistë nga klubi „GoBikers“, të cilët qytetarëve të pranishëm ua shpjeguan rëndësinë e drejtimit të përgjegjshëm të motoçikletës. Në kuadër të aktiviteteve, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq – Gostivar, u realizua një ushtrim simulues për dhënien e ndihmës së parë në rast aksidenti rrugor ku është i përfshirë një motoçiklist. Qëllimi i ushtrimit ishte të demonstrohej reagimi i shpejtë dhe i duhur që shpëton jetë. Gjithashtu, vullnetarët e Kryqit të Kuq u shpërndanë ujë qytetarëve për freskim.
Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë vendosi në shesh një stendë edukative me moton „Mbaje gjithmonë helmetën dhe mbroje jetën“. Qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion u shpërndanë fletushka me titull „Helmetë apo kokë – Zgjedhja është e jotja“, përmes të cilave përcillen mesazhet kryesore për sigurinë në komunikacion. Fletushkat janë përgatitur në bashkëpunim ndërmjet Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, MPB-së së RMV-së dhe Fakultetit të Sigurisë – Shkup, me qëllim ngritjen e vetëdijes për sigurinë në komunikacion dhe zvogëlimin e rrezikut nga aksidentet rrugore.