Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

SELEC

Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC)

Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) është një organizatë ndërkombëtare për zbatimin e ligjit, e themeluar me marrëveshje që bashkon burimet dhe ekspertizën e shërbimeve policore dhe doganore, duke bashkuar përpjekjet e tyre për një luftë më efektive kundër krimit të organizuar ndërkufitar në rajon.

 

Si pasardhëse e Qendrës SECI të themeluar në vitin 1999, SELEC mbështet 11 vendet anëtare dhe forcon koordinimin në parandalimin dhe luftën kundër krimit, përfshirë krimin e organizuar dhe serioz ndërkombëtar.

 

Dokumenti themelues i SELEC është Konventa për Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore, e cila hyri në fuqi më 7 tetor 2011, datë kur Qendra SECI u bë SELEC, duke i transferuar kapacitetet operacionale dhe strategjike SELEC-it.

 

Njëmbëdhjetë vendet anëtare të SELEC janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Hungaria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia dhe Turqia.

 

Përveç 11 vendeve anëtare, SELEC ka 25 vende dhe organizata partnere (Interpol, SHBA, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Arabia Saudite si partnerë operativë; Austria, Belgjika, Bjellorusia, Republika Çeke, EUBAM, Franca, GCC-CIC, Gjeorgjia, Gjermania, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Japonia, Izraeli, Holanda, Sllovakia, Spanja, Zvicra, Ukraina, UNODC, UNMiK, WCO si vëzhgues) dhe ka krijuar partneritete të shumta me organizata të ndryshme si dhe me sektorin privat.

 

Aktivitetet operative të SELEC kryhen kryesisht brenda tetë grupeve operative që trajtojnë çështje të lidhura me trafikun e drogës dhe njerëzve, vetura të vjedhura, kontrabandë dhe mashtrime doganore, krim financiar dhe kibernetik, terrorizëm, sigurinë e kontejnerëve dhe krimin lidhur me mjedisin.

 

Për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për vendet anëtare, SELEC ofron ekspertizë multinacionale për shërbimet e zbatimit të ligjit në Evropën Juglindore, duke u dhënë atyre platformën e nevojshme për shkëmbimin e informacionit dhe kërkesave për ndihmë përmes oficerëve të lidhjes të vendeve anëtare të vendosur në selinë e SELEC-it, mbështetje për takime operative, hetime të përbashkëta, operacione rajonale, si dhe ofrimin e produkteve analitike cilësore (p.sh. OCTA SEE).

 

Për të lehtësuar dhe përshpejtuar bashkëpunimin në hetimet për raste të lidhura me krimin serioz ndërkufitar në Evropën Juglindore, duke plotësuar punën e policisë dhe doganave, nën mbikëqyrjen e SELEC që nga viti 2003 funksionon Grupi Këshillues i Prokurorëve të Evropës Juglindore (SEEPAG), një rrjet prokurorësh me përvojë që vendosin bashkëpunim ndërkombëtar në çështje penale.

 

SELEC gjithashtu ofron platformë për trajnime, duke pasur një Qendër trajnimi plotësisht të pajisur në selinë e saj në katin e dhjetë të Pallatit të Parlamentit në Rumani.

 

Në vitin 2019, SELEC i vuri në dispozicion vendeve anëtare Njësinë e Qendrës Operative të pajisur me teknologji moderne, me qëllim forcimin e kapaciteteve operative të shërbimeve të zbatimit të ligjit që luftojnë tregtinë e paligjshme, përmes rritjes së lëvizshmërisë dhe kapacitetit për mbledhje më të mirë të informacionit nga vendet anëtare.

 

Në vitin 2020, pavarësisht krizës së COVID-19, duke ndjekur arritjet më të fundit të teknologjisë së informacionit, SELEC krijoi një sistem të ri IT për shkëmbimin e informacionit – SIRAT, teknologji moderne që lejon shkëmbimin e shpejtë dhe të sigurt të informacionit brenda SELEC dhe mes vendeve anëtare gjatë komunikimit të tyre operativ.

 

Është e rëndësishme të theksohet se një nga tri pozicionet menaxheriale në SELEC mbahet nga një përfaqësues i Republikës së Maqedonisë së Veriut, që është një konfirmim i angazhimeve tona për zhvillimin e një qasjeje serioze partneriale në rajon dhe më gjerë.

Accessibility Menu