Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar

Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar (SBPN) është një njësi organizative në kuadër të Byrosë për Siguri Publike, e cila ka për detyrë të koordinojë bashkëpunimin ndërkombëtar midis organeve për zbatimin e ligjit që janë kompetente për zbulimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të veprave penale në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

 

Sektori realizon koordinim dhe mbështetje në shkëmbimin ndërkombëtar të informacioneve dhe të dhënave ndërmjet organeve të pushtetit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe organeve shtetërore të huaja, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, që janë kompetente për zbulimin dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit të tyre operativ dhe strategjik.

 

Për komunikim me organet kompetente të vendeve të huaja përdoren disa kanale: posta e rregullt, telefoni, faksi, si dhe sistemet informatike të INTERPOL-it, EUROPOL-it dhe SELEC-it.

 

Në kryerjen e detyrave të tij, Sektori zbaton dispozitat nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së informacionit të klasifikuar.

 

Sektori përbëhet nga tre departamente dhe pozita pune të sistematizuara në mënyrë hierarkike nën Udhëheqësin e Sektorit:

  1. Departamenti NCB Interpol Shkup

  2. Departamenti për Europol

  3. Departamenti për të Kërkuarit

    1. Njësia për të Kërkuar Ndërkombëtarisht

    2. Njësia për të Kërkuar në Nivel Kombëtar

    3. Njësia për Kërkime të Caktuara

 

Në SBPN janë të sistematizuara edhe pozitat e mëposhtme që raportojnë drejtpërdrejt te udhëheqësi i sektorit: shërbimi i gatshëm (24/7), analist, përkthyes, staf administrativ dhe oficer ndërlidhës me SELEC.

 

Republika e Maqedonisë së Veriut ka përfaqësues – oficerë ndërlidhës të vendosur në selinë e INTERPOL-it në Lion, Francë, në selinë e EUROPOL-it në Hagë, Holandë dhe në selinë e SELEC-it në Bukuresht, Rumani, të cilët mundësojnë koordinim dhe komunikim më të lehtë me shërbimet e huaja.

 

Për përmbushjen e standardit për punë 24/7, të kërkuar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare policore ku Maqedonia e Veriut është anëtare, shërbimi i gatshëm punon me turne për nevojat e të gjithë Sektorit dhe vepron për kërkesa urgjente nga të gjitha institucionet kompetente brenda dhe jashtë vendit, përmes kanaleve të INTERPOL-it, EUROPOL-it, SELEC-it etj.

 

SBPN shkëmben informacione me shërbimet kriminalistike brenda dhe jashtë vendit, dhe bashkëpunon edhe me të gjitha institucionet e tjera kompetente që punojnë për parandalimin dhe ndalimin e kryerjes së veprave penale, si dhe për zbulimin e tyre. Sektori bashkëpunon edhe me oficerë policorë të caktuar nga vendet e huaja në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose në rajon.

Accessibility Menu