Byroja për Siguri Publike është një organ në përbërje të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili kryen punët policore në kuadër të Ministrisë. Organizimi dhe kompetencat e saj janë të rregulluara me Ligjin për Policinë (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 114/06, 6/09, 145/12 dhe 41/14).
Në kompetencat e Byrosë për Siguri Publike përfshihen: planifikimi konceptual, ndjekja dhe analizimi i gjendjes së sigurisë dhe shkaqeve të kriminalitetit dhe kërcënimeve ndaj sigurisë publike; mbikëqyrja dhe kontrolli i përgjithshëm dhe profesional mbi punën e njësive organizative të Policisë; përpunimi i të dhënave personale sipas kushteve dhe mënyrës së përcaktuar nga ky dhe ligje të veçanta; zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara për bashkëpunim policor dhe akteve të tjera ndërkombëtare për të cilat është kompetente Policia; kujdesi për gatishmërinë e Policisë për veprim dhe punë në kushte të sigurisë komplekse dhe detyra të tjera të përcaktuara me ligj.
Me punën e Byrosë udhëheq një Drejtor, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë me propozim të Ministrit, për një mandat prej katër vitesh.
Për realizimin e punëve policore në kompetencë të Byrosë për Siguri Publike janë formuar njësitë organizative në vijim:
- Sektori për Punë Policore nga Kompetenca e Përgjithshme dhe e Veçantë
Është përgjegjës për punën e përditshme policore në fushën e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin, si dhe për aktivitetet policore që kanë të bëjnë me situata të ndërlikuara të sigurisë. - Sektori për Çështje të Trafikut
Është përgjegjës për punët e përditshme policore në fushën e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve; kontrollon mënyrën e zbatimit të provimit të patentës së shoferit dhe testit për kontrollimin e aftësive të instruktorëve; merr pjesë në procedurën për lëshimin dhe revokimin e licencave të instruktorëve të vozitjes dhe veprime të tjera në fushën e trafikut. - Sektori për Policinë Kriminale
Koordinon masat dhe aktivitetet me njësitë organizative që janë kompetente për çështje kriminale dhe me Qendrat Rajonale për Punë Kufitare, me qëllim të veprimit të unifikuar të shërbimeve operative policore në terren. - Sektori për Inteligjencë Kriminale dhe Analizë
Punon në mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave dhe informacioneve sipas metodologjive dhe standardeve të përcaktuara; përgatit produkte analitike dhe raporte dhe i shpërndan ato në njësitë organizative të Byrosë për Siguri Publike. - Sektori për Punë Kufitare dhe Migracion
Është përgjegjës për punët e përditshme policore në fushën e punëve kufitare, aktivitetet policore që kanë të bëjnë me krimin ndërkufitar dhe migracionin, si dhe për çështje që lidhen me të huajt dhe riatdhesimin. - Sektori për Çështje të Përbashkëta dhe Menaxhim me Burime Njerëzore
Është kompetent për realizimin e punëve të caktuara profesionale për nevojat e Byrosë për Siguri Publike në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, çështjeve juridike dhe financiare, mbrojtjen e të dhënave personale, zhvillimin e stafit dhe përfaqësimin e komuniteteve, duke u kujdesur për barazinë gjinore.
Në kuadër të Byrosë për Siguri Publike është formuar edhe Regjistri për Bashkëpunim me NATO-n dhe Sigurinë e Informacioneve të Klasifikuara, i cili kryen punë që kanë të bëjnë me zbatimin e aktiviteteve në përputhje me Planin e Veprimit për Anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe përpjekjet e shtuara për integrimin në Bashkimin Evropian.