Nëpunës policorë nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin rrugor pranë SPB manastir, Njësia e Parandalimit, si dhe nëpunës policorë nga NJPB Prilep në kuadër të SPB manastir, e filluan fushatën parandaluese-edukative “Vozit me kujdes – që të mbërrish sigur”. Aktiviteti u realizua në disa lokacione në Manastir dhe Prilep, si dhe në daljet nga qytetet, ku drejtuesve të mjeteve iu shpërndanë fletushka me këshilla të dobishme. Në Prilep, aktiviteti u mbështet gjithashtu në bashkëpunim me një stacion të kontrollit teknik, ku drejtuesve të mjeteve iu kryen matje falas të shiritit dhe thellësisë së gomave.
Në prag të sezonit dimëror, fushata ka për qëllim t’u kujtojë drejtuesve të mjeteve se nga 15 nëntori deri më 15 mars është e detyrueshme të kenë dhe të mbajnë pajisje dimërore në automjete, si dhe t’i edukojë ata për përdorimin e duhur të pajisjeve.
Pajisjet e përcaktuara dimërore për automjete deri në 3.500 kilogramë përfshijnë: goma dimërore me thellësi minimale të shiritit prej 4 mm në të katër rrotat, ose goma verore me thellësi minimale 4 mm të shoqëruara me zinxhirë bore për rrotat lëvizëse. Për automjetet me lëvizje në të katër rrotat (4×4), kërkohen goma dimërore në të gjitha rrotat me thellësi minimale prej 6 mm, ose goma verore me thellësi 4 mm dhe zinxhirë bore.
Kushtet e dimrit sjellin rrezik më të lartë: rrugë të rrëshqitshme për shkak të borës, akullit ose ngricës, shikueshmëri të reduktuar për shkak të mjegullës së dendur ose reshjeve, distancë më të gjatë frenimi dhe paqëndrueshmëri gjatë lëvizjeve të papritura, si dhe lodhje të shtuar tek drejtuesit e mjeteve.
Prandaj, SPB Manastir dhe Njësia e Parandalimit u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të ndjekin këto rekomandime:
- ndiqni informacionet për motin dhe gjendjen e rrugëve;
- përshtateni ngasjen me kushtet e rrugës;
- respektoni rregullat dhe shenjat e trafikut;
- mbani pajisjet dimërore në automjet dhe përdorini siç duhet;
- bëni kontroll të automjetit;
- mbani distancë të sigurt midis automjeteve;
- shmangni frenimet e papritura dhe uljen ose rritjen e menjëhershme të shpejtësisë.
Siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët dhe vetëm kështu mund të ndërtohet një kulturë sjelljeje të përgjegjshme dhe të sigurt në trafik.