Gjatë ditës së djeshme (23.01.), nëpunës policorë nga SPB Shkup, SPB Strumicë dhe SPB Shtip realizuan disa aktivitete parandaluese të orientuara drejt përmirësimit të sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së qytetarëve nga mashtrimet.
Nëpunës policorë nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në territorin e komunës Gazi Babë, respektivisht në bulevardin “Aleksandar Makedonski”, realizuan një aktivitet parandalues me temë “Përdorni pajisje dimërore”. Në kuadër të aktivitetit, shoferëve iu shpërndanë fletushka edukative me mesazhe për drejtim të përgjegjshëm të automjeteve në kushte dimërore, si dhe u dhanë këshilla për respektimin e rregullave të komunikacionit, përshtatjen e detyrueshme të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës dhe masa të tjera të sigurisë.
Po atë ditë, në fshatin Bosillovë të rajonit të Strumicës, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Strumicë, në bashkëpunim me përfaqësues të Këshillit Komunal për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor – Strumicë, realizuan një aktivitet preventiv në kuadër të fushatës “Vozitni sigurt në dimër”. Shoferët u informuan për detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, ndërsa iu shpërnda edhe material edukativ i siguruar nga KRSKRR.
Në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e mashtrimeve, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Shtip realizuan një takim pune me shoqatat e pensionistëve në Koçan dhe Vinicë. Gjatë takimit, pensionistët u informuan për llojet më të shpeshta të mashtrimeve, ku autorët paraqiten rrejshëm si mjekë ose persona të tjerë zyrtarë dhe u marrin para anëtarëve të familjeve për gjoja aksidente trafiku. Të pranishmit u këshilluan se si të veprojnë në rast të një tentative mashtrimi dhe që atë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor.