Sot (18.05.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles në territorin e komunës së Gradskos dhe në fshatrat Nogaevc dhe Viniçan realizuan aktivitet parandalues me temën “Kujdes, mashtrime telefonike”. Aktiviteti u realizua me qëllim informimin dhe edukimin e qytetarëve për rreziqet nga mashtrimet telefonike, mënyrën se si të njihen dhe të mos lejojnë të bëhen viktima të këtij lloji mashtrimi.
Në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, veçanërisht me popullatën më të moshuar, u theksua se llojet më të shpeshta të mashtrimeve janë ato kur persona të panjohur i mashtrojnë duke u thënë se të afërmit e tyre kanë qenë viktima të aksidenteve në komunikacion, prezantohen si nëpunës policorë, mjekë apo avokatë dhe kërkojnë një shumë të caktuar parash për të kryer ndërhyrje kirurgjikale ose për lirimin nga ndjekja penale të anëtarëve të familjes së tyre.
Në kuadër të aktiviteteve parandaluese u shpërnda edhe material edukativ i shtypur. SPB Veles apelon që qytetarët të jenë të kujdesshëm, të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të kenë kujdes gjatë komunikimit me persona të panjohur, ndërsa çdo rast të dyshimtë ta paraqesin në stacion policor.
Më 18.05.2026, Departamenti për Parandalim pranë SPB Shkup organizoi takime pune me përfaqësues të sektorëve të arsimit të komunave Kisella Vodë, Saraj dhe Çair. Në këto takime u dakordua që deri në përfundim të vitit shkollor të realizohen takime me Këshillat e Prindërve në shkollat fillore, ku së bashku do të diskutohet për problemet reale karakteristike për secilën shkollë veçmas.
Prindërit do të njoftohen edhe për aktivitetet parandaluese që janë realizuar individualisht dhe së bashku, si dhe për aktivitetet që do të pasojnë, të cilat kanë të bëjnë me parandalimin e dhunës, varësive, lojërave të fatit, delikuencës së të miturve dhe dhunës në familje, me qëllim parandalimin e dhunës përmes përleshjeve të organizuara mes grupeve të fëmijëve.
Gjithashtu, do të bisedohet edhe për festimet e gjysmëmaturës, duke i njohur prindërit me rregullativën pozitive ligjore.