Sot (20.10.2026), nëpunës policorë të NJPB Kavadar dhe SPB Shtip, në SHFK „Dimka Angelov Gaberot” në fshatin Vatashë, në rajonin e Kavadarit, në SHFK „Tosho Arsov” në Shtip dhe në SHFK „Goce Dellçev” në Vinicë, realizuan ligjërata edukative për mbrojtjen nga dhuna mes bashkëmoshatarëve dhe dhuna kibernetike. Nxënësit u njohën me format dhe mënyrat e shfaqjes së këtyre dukurive devijuese, si dhe me pasojat që mund të shfaqen. Gjithashtu, atyre iu shpjeguan mënyrat dhe metodat për parandalimin në kohë dhe përballimin e këtij lloji të sjelljes devijuese tek të rinjtë.
Nëpunës policorë të NJPB Negotinë dhe Stacioni Policor në Çashkë realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtjen nga vjedhjet, duke i këshilluar qytetarët se si ta rrisin sigurinë personale, me theks të veçantë te vjedhjet e xhepave. Ata u këshilluan gjithashtu të kenë kujdes me sendet e tyre personale dhe të shmangin lënien e tyre në automjete.
Nëpunës policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionin Rrugor në Berovë realizuan aktivitetin parandalues „Vendos rripin e sigurisë” në disa lokacione në zonën qendrore të qytetit të Berovës. Me këtë rast, pjesëmarrësve në komunikacion iu shpjeguan dispozitat ligjore lidhur me respektimin e rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, veçanërisht detyrimi për përdorimin e rripit të sigurisë, si nga drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe nga bashkudhëtarët.
Në Shkollën e Mesme Komunale të Mjekësisë „Nikolla Shtejn” në Tetovë, SPB Tetovë realizoi një aktivitet në kuadër të projektit parandalues „Parandalimi i keqpërdorimit të drogës, alkoolit dhe cigareve”, i cili u dedikohet nxënësve të vitit të parë në të gjitha shkollat e mesme në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit. Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e vetëdijes së të rinjve për pasojat e dëmshme të substancave psikoaktive, nxitja e shprehive të shëndetshme të jetesës dhe zvogëlimi i rrezikut që të miturit të bien në kontakt me drogën, alkoolin dhe duhanin. Ndërkaq, Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë mori pjesë në organizimin e një turneu në futboll të vogël në Komunën e Likovës, me theks te tifozëria sportive dhe parandalimi i dhunës dhe gjuhës së urrejtjes.