Sot (07.10.2026) në Veles, nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Veles realizuan aktivitet parandalues “Thuaji jo drogës”. Qëllimi i aktivitetit ishte të vihen në dukje, veçanërisht te popullata e re, pasojat e dëmshme të sëmundjeve të varësisë, si dhe mënyrat dhe metodat që duhet të përdoren në përballjen me këtë lloj dukurish devijuese.
Me rastin e shënimit të Javës së Fëmijëve, nxënësit e SHFK “Pere Toshev” nga Rosomani, sot në hapësirat e NJPB Kavadar patën mundësi të njihen me profesionin e nëpunësit policor, përkatësisht me rëndësinë e tij për sigurinë e qytetarëve. Gjithashtu, atyre iu prezantuan edhe një pjesë e mjeteve teknike, pajisjeve dhe automjeteve që nëpunësit policorë i përdorin në kuadër të kryerjes së detyrave policore.
Në territorin e Velesit u realizua edhe aktivitet parandalues për mbrojtje nga vjedhjet dhe mashtrimet, me qëllim që qytetarët të njihen me mënyrat për rritjen e nivelit të sigurisë së tyre personale dhe pronësore, si dhe aktivitet parandalues në komunikacion me temë “Parko me ndërgjegje, parko me përgjegjësi”, në kuadër të të cilit drejtuesve të automjeteve iu theksua se parkimi i drejtë i automjeteve është i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë individuale dhe të përgjithshme në komunikacion.
Në SHFK “Slavko Lumbarko” në Komunën e Novacit, nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Manastir u shpjeguan fëmijëve se si të lëvizin në komunikacion, përkatësisht si të arrijnë në mënyrë të sigurt nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas.
Aktivitete parandaluese për komunikacion të sigurt u realizuan edhe në Koçan, Dellçevë dhe Shtip, me theks në pasojat që mund të shkaktohen nëse automjeti drejtohet nën ndikimin e alkoolit ose nëse përdoret telefoni celular gjatë drejtimit të automjetit. U theksua edhe nevoja që automjetet të jenë teknikisht në gjendje të rregullt dhe të servisohen rregullisht.
Ndërkaq, në Vinicë, nëpunës policorë të Stacionit Policor Vinicë realizuan aktivitet parandalues për parandalimin e dhunës në familje, në kuadër të të cilit qytetarët u njohën me masat për mbrojtje në rast të ekzistimit të dhunës në familje, por edhe me mënyrat se si të njihet dhuna psikologjike dhe çfarë mund të bëjnë nëse gjenden në situatë kur janë dëshmitarë të ndonjë lloji të caktuar të dhunës, duke i inkurajuar që rastet e këtilla t’i raportojnë në stacionin policor ose në numrin 112.