Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion dhe parandalimin e mashtrimeve, vjedhjeve, prerjeve të paligjshme të pyjeve dhe varësive

Aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion dhe parandalimin e mashtrimeve, vjedhjeve, prerjeve të paligjshme të pyjeve dhe varësive
Sot (06.10.2026), nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Veles dhe NJPB Kavadar, në Kavadar realizuan aktivitet parandalues me nxënësit e shkollave fillore në Kavadar, me rastin e shënimit të Javës së Fëmijëve. Fëmijët u njohën me rëndësinë e profesionit të nëpunësit policor, rëndësinë e tij për sigurinë e qytetarëve, si dhe me punën e nëpunësve policorë dhe rregullat e komunikacionit për këmbësorët e vegjël, ndërsa patën mundësi të shohin edhe një pjesë të mjeteve teknike, pajisjeve dhe automjeteve që përdoren në punën e përditshme policore.
Në SHFK „Boris Trajkovski“ në fsh. Monospitovë, SHFK „Kirili dhe Metodi“ në fsh. Borievë, SHFK „Kirili dhe Metodi“ në fsh. Ilovicë, SHF „Goce Dellçev“ në Mogillë dhe në kopshtin e fëmijëve „23 Gushti“ në Berovë, nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Strumicë dhe SPB Manastir u shpjeguan fëmijëve se si të lëvizin në komunikacion, përkatësisht si të arrijnë në mënyrë të sigurt nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas. Aktivitetet kishin për qëllim që, përmes bisedave, shembujve praktikë dhe përmbajtjeve edukative, fëmijët të njiheshin me rregullat themelore për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion si këmbësorë. Atyre iu shpjegua se si të kalojnë në mënyrë të drejtë dhe të sigurt rrugën, rëndësia e vendkalimit për këmbësorë dhe sinjalizimit me drita në semafor, si dhe rëndësia e respektimit të shenjave dhe rregullave të komunikacionit. Vëmendje e veçantë iu kushtua faktit se gjatë kalimit të rrugës fëmijët duhet të ndalojnë, të shikojnë me kujdes majtas dhe djathtas dhe të mos vrapojnë në rrugë. Përmes realizimit të këtyre aktiviteteve parandaluese-edukative kontribuohet në zhvillimin e kulturës së komunikacionit tek më të vegjlit dhe në krijimin e shprehive të duhura dhe të sigurta që në moshë të hershme.
Seksioni për Parandalim pranë SPB Kumanovë, sot në Kumanovë, e vuri theksin e aktiviteteve parandaluese në pjesëmarrjen e sigurt të këmbësorëve në komunikacion, duke theksuar veçanërisht që të mos përdoren telefonat celularë dhe kufjet gjatë kalimit të rrugës. Ndërsa drejtuesve të automjeteve iu rikujtua detyrimi për të ndaluar para vendkalimit për këmbësorë.
Në territorin e Velesit dhe Negotinës u realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtje nga vjedhjet dhe mashtrimet, me qëllim që qytetarët të njihen me mënyrat për rritjen e nivelit të sigurisë së tyre personale dhe pasurore, duke iu bërë thirrje që të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë komunikimit me persona të panjohur dhe të mos lënë të dhënat e tyre personale. Nëpunës policorë nga Stacioni Policor Çashkë, dje realizuan aktivitet parandalues për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, me ç’rast qytetarët u informuan për dispozitat ligjore dhe sanksionet lidhur me prerjen e paligjshme të druve.
Në Shkollën e Mesme të Mjekësisë „Nikolla Shtajn“ në Tetovë, nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Tetovë realizuan aktivitetin parandalues „Pasojat nga përdorimi i substancave narkotike“, me qëllim të theksimit të pasojave të dëmshme të sëmundjeve të varësisë, si dhe të mënyrave dhe metodave që duhet të përdoren dhe zbatohen në përballjen me këtë lloj dukurish devijuese.

Accessibility Menu