Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Aktivitete parandaluese për parandalimin e dhunës dhe zjarreve dhe për rritjen e sigurisë në komunikacion

Aktivitete parandaluese për parandalimin e dhunës dhe zjarreve dhe për rritjen e sigurisë në komunikacion
Sot (18.09.2026), në Kavadar, nëpunës policorë të NJPB Kavadar realizuan aktivitetin parandalues “Mos u bëj dëshmitar i heshtur”. Gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, ata u informuan për fenomenin e dhunës në familje dhe masat për mbrojtje në rastet e dhunës familjare, si dhe për mënyrat e identifikimit të dhunës psikologjike dhe udhëzimet se çfarë mund të bëjnë nëse gjenden në një situatë ku janë dëshmitarë të dhunës.
Nëpunës policorë të NJPB Negotinë zhvilluan aktivitetin parandalues “Policia më afër qytetarëve”, me ç'rast banorëve vendas iu dhanë këshilla për rritjen e nivelit të sigurisë personale dhe të pronës. Gjithashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet komunitetit lokal dhe nëpunësve policorë, me qëllim krijimin e një komunikimi më të mirë. Ndërsa në Demir Kapi u realizua një aktivitet parandalues për ardhjen dhe largimin e sigurt të nxënësve nga dhe drejt shkollave.
Nëpunësit policorë të Stacioni Policor Resnjë dhe SPB Manastir, me rastin e “Javës Evropiane të Mobilitetit”, e cila shënohet nga 16 deri më 22 shtator, realizuan aktivitete parandaluese me qytetarët në Resnjë dhe Manastir, me qëllim rritjen e kulturës në komunikacion, si dhe nxitjen e përdorimit më të shpeshtë të mjeteve alternative të transportit.
Nëpunësit policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Tetovë dhe Stacioni Policor për Siguri në Komunikacion në Koçan, në SHFK “Koço Racin” në fshatin Bërvenicë dhe SHFK “Krste Petkov Misirkov” në Koçan, realizuan ligjërata edukative për nxënësit e klasës së parë. Nëpunësit policorë të trajnuar profesionalisht u shpjeguan fëmijëve se si të lëvizin në mënyrë të sigurt në komunikacion, përkatësisht si të shkojnë të sigurt nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas.
Nëpunësit policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Shkup, në zonën e Kisella Vodës dhe Aerodromit, realizuan aktivitete parandaluese për drejtuesit e motoçikletave, trotinetëve elektrikë dhe biçikletave. Atyre iu rikujtuan rregullat dhe detyrimet për pjesëmarrje të kujdesshme dhe të përgjegjshme në komunikacion, veçanërisht detyrimi për mbajtjen e helmetës mbrojtëse.
Gjithashtu, Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në Komunën e Sopishtes, realizoi aktivitete parandaluese për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme dhe zjarret. Qytetarëve iu bë e ditur se prerja e paligjshme e drurëve dhe shkaktimi i zjarreve janë vepra penale, të cilat sanksionohen sipas ligjit. Gjithashtu, atyre iu shpërnda material edukativ i shtypur, i përgatitur në bashkëpunim me NP “Pyjet Kombëtare”.
Ndërkaq, nëpunësit policorë të Stacionit Policor Dellçevë, në SHFK “Shën Kliment Ohridski” në Dellçevë, zhvilluan një punëtori edukative me temën “Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve – bullizmi dhe bullizmi kibernetik”. Fëmijët u njohën me pasojat që mund të shkaktohen nga kjo sjellje devijuese, si dhe me mënyrat për parandalimin e saj.

Accessibility Menu