Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga stacionet policore për sigurinë e qarkullimit rrugor në Shtip dhe në Koçan, në disa lokacione në qendrat e qyteteve të Shtipit dhe të Koçanit, realizuan aktivitet parandalues me temën: „Nëse pi, mos vozit dhe nëse vozit, mos pi“ dhe „Të jemi të përgjegjshëm para vendkalimit të këmbësorëve“. Gjatë realizimit të aktiviteteve, shoferëve pjesëmarrës në komunikacion iu shpjeguan dispozitat ligjore lidhur me respektimin e rregullave dhe rregulloreve të trafikut, si dhe fakti se çdo shofer që drejton automjetin nën ndikimin e alkoolit do të sanksionohet. Gjithashtu, u shpërndanë fletushka me përmbajtje edukative.
Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor në Sveti Nikollë realizuan aktivitet parandalues me drejtuesit e automjeteve, të cilët u informuan për detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore, nga data 15.11.2026 deri më 15.03.2027.
Gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë me shoferët, atyre iu shpjeguan dispozitat ligjore për përdorimin e pajisjeve dimërore, ku përfshihen gomat dimërore dhe zinxhirët. Në veçanti u theksuan mënyrat e përdorimit të këtyre pajisjeve në varësi të kushteve atmosferike, në përputhje me dispozitat ligjore, si dhe sanksionet për mosrespektimin e tyre.
Gjithashtu, shoferëve iu shpërnda material edukativ i shtypur, me qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e posedimit të pajisjeve dimërore në automjet dhe pjesëmarrjes së përgjegjshme në komunikacion.
Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga stacionet policore të Pehçevës, Makedonska Kamenicës, Dellçevës dhe nga Qendra Rajonale për Çështje Kufitare Lindje realizuan aktivitet parandalues-edukativ me temën „Rregullat për këmbësorët e vegjël“. Aktiviteti kishte për qëllim që, përmes bisedave, shembujve praktikë dhe përmbajtjeve edukative, fëmijët e moshës parashkollore të njihen me rregullat themelore për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion si këmbësorë. Në kuadër të aktivitetit, fëmijëve iu shpjegua se si duhet ta kalojnë rrugën në mënyrë të drejtë dhe të sigurt, rëndësia e vendkalimit të këmbësorëve dhe sinjalizimit me drita në semafor, si dhe rëndësia e respektimit të shenjave dhe rregullave të komunikacionit. Si pjesë e aktivitetit parandalues, fëmijëve iu dhuruan libra për ngjyrosje me tematikë të komunikacionit, të përgatitura nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR). Përmes realizimit të këtij aktiviteti parandalues-edukativ kontribuohet në zhvillimin e kulturës së komunikacionit tek më të vegjlit dhe krijimin e shprehive të drejta dhe të sigurta që nga mosha më e hershme.
Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor në Pehçevë zhvilluan një takim pune me pensionistët në Pehçevë, me qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për njohjen dhe parandalimin e mashtrimeve telefonike.
Në kuadër të aktivitetit, pensionistët u informuan se gjatë periudhës së fundit janë evidentuar raste të mashtrimeve telefonike, ku persona të panjohur, më së shpeshti përmes thirrjeve nga numra telefonikë të huaj, paraqiten në mënyrë të rreme dhe, me pretekstin se një anëtar i afërt i familjes ka pësuar aksident trafiku ose ndodhet në spital dhe ka nevojë për para, tentojnë të përfitojnë shuma të mëdha parash, veçanërisht nga personat e moshuar.
Gjatë fushatës parandaluese, atyre iu dhanë këto këshilla:
- Të mos u japin para personave të panjohur që kërkojnë ndihmë financiare përmes telefonit.
- Të mos u besojnë informacioneve të paverifikuara dhe thirrjeve telefonike përmes të cilave kërkohet pagesë urgjente e parave.
- Gjithmonë të verifikojnë vërtetësinë e informacioneve të marra përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me anëtarët e familjes.
-Të mos ndajnë të dhëna personale dhe informacione bankare me persona të panjohur.
-Çdo thirrje të dyshimtë telefonike ose tentativë mashtrimi ta paraqesin menjëherë në stacionin më të afërt policor ose në numrat e telefonit 192 dhe 112.
Njëherësh, pensionistëve iu bë apel që të informojnë dhe paralajmërojnë edhe të afërmit, fqinjët dhe veçanërisht personat e moshuar, të cilët më së shpeshti janë cak i këtyre lloj mashtrimeve.
Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga stacionet policore të Sveti Nikollës, Koçanit dhe Berovës, në qendrat e qyteteve, zhvilluan takime joformale me qytetarët e moshuar, në kuadër të planit të aktiviteteve projektuese në fushën e parandalimit të mashtrimeve telefonike lidhur me aksidentet e komunikacionit.
Dje (11.11), zyrtarë policorë nga NJPB Makedonski Brod realizuan aktivitet parandalues me moton „Çdo jetë ka rëndësi“. Aktiviteti parandalues u realizua në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), ku në qendrën e qytetit të Makedonski Brodit dhe në daljet e qytetit, shoferëve iu dhanë këshilla dhe rekomandime për siguri në komunikacion. Gjithashtu, u shpërnda edhe material edukativ.
Edhe NJPB Resnjë, dje realizoi aktivitet parandalues në drejtim të rritjes së sigurisë në komunikacion, me theks të veçantë në sezonin dimëror.
Dje (11.11.2026), në Shkollën e Mesme Komunale të Tekstilit „Gjorgji Stojevski“ në Tetovë, Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë vazhdoi me projektin parandalues-edukativ nën moton „Mësoj-Provoj-Vozis“, në kuadër të të cilit parashikohen ligjërata për nxënësit e vitit të tretë të shkollave të mesme, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe ngritjen e kulturës së komunikacionit tek të rinjtë.
Edukimi rreth trafikut dhe krijimi i shprehive të drejta që nga mosha e hershme janë rruga themelore drejt sigurisë afatgjatë në rrugë.
Analizat policore nga terreni tregojnë një trend shqetësues, ku një numër gjithnjë e më i madh i të miturve drejtojnë automjete motorike, motoçikleta dhe triçikle pa leje përkatëse të drejtimit dhe pa pajisje mbrojtëse.
Mosrespektimi i tillë i rregullave të komunikacionit shpesh është shkaktar i drejtpërdrejtë i aksidenteve me pasoja të rënda, lëndime trupore dhe humbje jete.
Gjatë ligjëratës, nxënësit u njohën në detaje me rregullat dhe dispozitat më të rëndësishme të komunikacionit, detyrimet ligjore për mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, si dhe dispozitat ndëshkuese të parapara për kundërvajtjet.
Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është ndërtimi i besimit të ndërsjellë ndërmjet policisë dhe të rinjve, ngritja e vetëdijes së tyre, si dhe zvogëlimi i drejtpërdrejtë i numrit të aksidenteve të komunikacionit dhe pasojave të tyre në territorin e Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë.
Sot, Seksioni për Parandalim pranë SPB Kumanovë mbajti takim pune me të gjithë transportuesit e autobusëve që kryejnë transport publik të udhëtarëve në linja urbane, komunale dhe ndërkombëtare. Qëllimi i takimit ishte rikujtimi dhe ndërgjegjësimi i transportuesve të autobusëve për respektimin e kornizës ligjore dhe zhvillimin e sigurt të komunikacionit, si dhe eliminimin e çdo lloj parregullsie që mund të shkaktojë pasoja të padëshiruara për jetën dhe sigurinë e udhëtarëve.
Më 11/12.11.2026, Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në rajonin SP KP Qendër, SP Mirkovc dhe SP KP Bit Pazar, realizoi pesë punëtori edukative dhe një tribunë. Në SHF „Kirili dhe Metodi“ dhe SHF „Jashar Bej Shkupi“, me nxënësit e klasës së katërt, u realizuan katër punëtori edukative në kuadër të planit „T’i mbrojmë fëmijët në komunikacion“, me qëllim njohjen e tyre me rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, si dhe respektimin e kulturës së komunikacionit që nga mosha më e hershme.
Në SHF „Aleksandar Urdarevski“ – Komuna e Çuçer Sandevës, me nxënësit e Klubit për Parandalim, të cilin e përbëjnë nxënës të klasave të gjashta deri në të nëntat, u realizua një punëtori edukative me temën „Parandalimi i dhunës mes bashkëmoshatarëve – bullizmi dhe bullizmi kibernetik (dhuna në rrjetet sociale)“.
Gjithashtu, me nxënësit e vitit të parë dhe të dytë të Shkollës së Mesme Shtetërore „Metodija M. Brico“ u realizua një tribunë me temën „STOP dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe parandalimit të varësive“.
Nxënësit e pranishëm, përmes komunikimit interaktiv, u njohën me të gjitha format e dhunës, atë fizike dhe psikologjike, kuptimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve – bullizmit dhe bullizmit kibernetik, format e sjelljes agresive tek të rinjtë, si dhe dukuritë antisociale dhe devijante, përfshirë varësitë.
Nxënësve të pranishëm iu shpërndanë edhe fletushka me mesazhe edukative: „STOP bullizmit – askush nuk meriton të ndihet i pavlerë dhe i pasigurt“.
Më 12.11.2026, zyrtarë policorë nga Seksionit për Parandalim pranë SPB Veles realizuan aktivitet parandalues në komunikacion me temën „Mos harroni, të gjithë jemi këmbësorë – jini të përgjegjshëm në komunikacion“, ku theksi kryesor u vendos tek këmbësorët. Në kuadër të aktivitetit, këmbësorëve iu theksua se rrugën duhet ta kalojnë vetëm në vendkalimet e shënuara për këmbësorë, duke shmangur përdorimin e kufjeve dhe telefonave celularë gjatë kalimit të rrugës.
Ndërkaq, zyrtarë policorë nga NJPB Negotinë realizuan aktivitet parandalues me temën „Përdor pajisjet dimërore“, në prag të hyrjes në fuqi të detyrimit ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete.
Qëllimi i aktivitetit është ndikimi në ngritjen e vetëdijes së shoferëve për detyrimin dhe nevojën e përdorimit të pajisjeve dimërore, si një kusht i rëndësishëm për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.
Në rajonin e Kavadarit dhe Çashkës, sot u realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtjen nga veprat penale kundër pronës, me temën „Mbroje shtëpinë tënde“. Në kuadër të aktivitetit, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, qytetarët morën këshilla se si të mbrohen nga format e ndryshme të vjedhjeve, si t'i sigurojnë shtëpitë e tyre dhe si të kujdesen për sendet personale.