Sot (14.08.2026), në Negotinë, Kavadar, Shtip dhe Koçan u realizuan aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion.
Në Negotinë, aktiviteti u zhvillua me temën „Mos harroni, të gjithë jemi këmbësorë“, ku drejtuesve të automjeteve iu bë apel që të jenë të përgjegjshëm në trafik, veçanërisht të kenë kujdes para vendkalimeve të shënuara për këmbësorë, me qëllim mbrojtjen e këmbësorëve si kategoria më e rrezikuar e pjesëmarrësve në trafik.
Ndërkaq, nëpunës policorë të Njësisë Policore për Sigurinë e Qarkullimit Rrugor pranë NJPB Kavadar realizuan aktivitet me temën „Pasojat e drejtimit të automjetit me parregullsi teknike“, duke u theksuar drejtuesve detyrimi për mirëmbajtje të rregullt dhe kontroll teknik të automjeteve, si parakusht krzesor për pjesëmarrje të sigurt në trafik.
Aktivitetet në Shtip dhe Koçan u zhvilluan me temën „Parko me ndërgjegje, parko me përgjegjësi“. Gjatë aktivitetit, drejtuesve të automjeteve iu shpërndanë fletushka me këshilla të dobishme dhe iu shpjegua legjislacioni përkatës lidhur me detyrimin që automjetet të parkohen në vende të përshtatshme dhe të shënuara, në mënyrë që të mos pengohet zhvillimi normal i qarkullimit.
Në Gradsko, Dellçevë dhe në Komunën e Zelenikovës, nëpunësit policorë zhvilluan aktivitete parandaluese për mbrojtje nga zjarret. Qytetarëve iu dha këshillë që të jenë të kujdesshëm, me qëllim shmangien e rrezikut nga shkaktimi i zjarreve në ambiente të hapura gjatë periudhës së verës. Në rast se vërejnë zjarr, qytetarët u këshilluan ta raportojnë në numrin telefonik 112.
Sot, në Shtip u zhvillua edhe një aktivitet parandalues për mbrojtje nga vjedhjet dhe mashtrimet. Gjatë bisedave të drejtpërdrejta, personave të moshuar dhe pensionistëve iu shpërndanë fletushka me këshilla për mënyrat e identifikimit të mashtrimeve dhe mbrojtjen nga vjedhjet. Gjithashtu, atyre iu shpjeguan dispozitat ligjore, përkatësisht masat që mund të ndërmerren për mbrojtje nga këto lloje të veprave penale kundër pasurisë.
Në Dellçevë u realizua edhe aktiviteti me temën „Mos u bëj dëshmitar i heshtur“ dhe „Ka ndihmë për një jetë pa dhunë“. Gjatë takimeve me qytetarët u dhanë këshilla për vetëmbrojtje, informacione për ndihmën në dispozicion dhe mënyrat se si mund të identifikohet dhuna, si dhe udhëzime se çfarë mund të bëjnë nëse gjenden në situatë ku janë dëshmitarë të një forme të caktuar dhune.
Veçanërisht u theksua nevoja për bashkëpunim dhe komunikim në kohë me policinë, mbi të gjitha përmes raportimit të saktë dhe të shpejtë në numrin 112.
Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, në Stacionin Ndërurban të Autobusëve në Shkup, zhvilloi gjithashtu një aktivitet parandalues nën moton „Çdokush mund të jetë viktimë“.
Qëllimi kryesor ishte rritja e kulturës së sigurisë te qytetarët, si dhe forcimi i besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Gjatë aktivitetit, qytetarëve iu bë apel që, kur largohen nga automjetet e tyre, të mos lënë sende me vlerë në vende të dukshme, në mënyrë që të mos bëhen objektiv i personave që kryejnë vjedhje të rënda nga automjetet. Gjithashtu, u këshilluan të kenë kujdes me sendet personale që mbajnë me vete.