Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion dhe mbrojtjen nga zjarret, goditjet nga të nxehtit dhe deliktet kundër pasurisë

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion dhe mbrojtjen nga zjarret, goditjet nga të nxehtit dhe deliktet kundër pasurisë
Sot (30.06.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles dhe Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë, në Veles dhe Tetovë realizuan aktivitete parandaluese në fushën e sigurisë në komunikacion, të fokusuara te këmbësorët. Gjatë aktiviteteve, qytetarëve iu theksua nevoja për respektimin e rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, me qëllim rritjen e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Këmbësorët, si pjesëmarrës aktivë në komunikacion, u rikujtuan për detyrimin që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, ta kalojnë rrugën vetëm në vendkalimet e shënuara për këmbësorë, të mos përdorin kufje dhe telefona celularë gjatë kalimit të rrugës, si dhe të jenë veçanërisht të kujdesshëm gjatë lëvizjes në vende të pandriçuara në orët e mbrëmjes.
Në të njëjtën kohë, nëpunës policorë nga NJPB Berovë realizuan aktivitet parandalues të dedikuar për drejtuesit e motoçikletave, trotinetëve elektrikë dhe biçikletave. Drejtuesit u informuan për rregullat dhe detyrimet për pjesëmarrje të sigurt dhe të përgjegjshme në komunikacion, me theks të veçantë mbi detyrimin për mbajtjen e helmetës mbrojtëse.
Dje (29.06.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Manastir dhe nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacion pranë SPB Manastir realizuan aktivitet parandalues në territorin e Manastirit, me fokus ngritjen e vetëdijes së drejtuesve të automjeteve që të mos drejtojnë automjete nën ndikimin e alkoolit. U theksua se alkooli ul ndjeshëm aftësinë për drejtim, dëmton aftësitë psikomotorike dhe paraqet rrezik serioz për sigurinë e drejtuesit dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Sot, nëpunës policorë nga Njësia Policore Çashkë dhe QRÇK Lindje realizuan aktivitete parandaluese në Çashkë dhe Makedonska Kamenicë për mbrojtjen nga zjarret. Qytetarëve iu bë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe për raportimin e menjëhershëm të çdo sjelljeje të papërgjegjshme, si ndezja e zjarrit në hapësira të hapura dhe pranë brezave pyjorë, hedhja e bishtave të cigareve dhe veprime të tjera që mund të shkaktojnë zjarr, me qëllim mundësimin e reagimit të shpejtë dhe në kohë të institucioneve kompetente.
Aktivitete parandaluese për mbrojtjen nga zjarret u realizuan sot edhe në territorin e Gradskos dhe Bogomilës. Ndërkaq, nëpunës policorë nga SPB Shtip zhvilluan takim pune me përfaqësues të institucioneve të tjera, kushtuar koordinimit të aktiviteteve për përballimin e zjarreve.
Nëpunës policorë nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, sot realizuan aktivitetin parandalues me moton "Mos lini sende me vlerë në automjetin tuaj" në territorin e Stacionit Policor Qendër. Gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, ata apeluan që në automjetet e parkuara të mos lihen sende me vlerë, me qëllim parandalimin e vjedhjeve të rënda nga automjetet. Gjithashtu, qytetarët u informuan për masat parandaluese që mund të ndërmerren në bashkëpunim me policinë, ndërsa u shpërndanë edhe materiale edukative me përmbajtje informative. Njëkohësisht, ata u inkurajuan që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt policor.
Ndërkaq, Seksioni për Parandalim pranë SPB Kumanovë, në bashkëpunim me ISHP Spitali i Përgjithshëm Kumanovë, realizoi aktivitet parandalues për mbrojtjen e qytetarëve nga goditjet e të nxehtit, gjatë të cilit personeli mjekësor u dha qytetarëve rekomandime dhe këshilla për mbrojtje gjatë temperaturave të larta.

Accessibility Menu