Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion dhe mbrojtjen nga zjarret dhe dhuna në familje

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion dhe mbrojtjen nga zjarret dhe dhuna në familje
Sot (25.06.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles, në rajonin e Velesit, realizuan aktivitet parandalues me temën “Ka ndihmë për një jetë pa dhunë”.
Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, qytetarët u informuan për dukuritë e dhunës në familje, të drejtat dhe masat mbrojtëse në rast të paraqitjes së ndonjërës prej formave të dhunës në familje, si dhe për mënyrat e njohjes së saj dhe veprimet që mund të ndërmarrin nëse gjenden në situatë të jenë dëshmitarë të ndonjë forme dhune. Theks i veçantë iu kushtua procedurave dhe veprimeve në raste të tilla, si dhe shërbimeve të disponueshme për ndihmë, mbrojtje dhe strehim të përkohshëm, duke u potencuar rëndësia e raportimit me kohë të të gjitha formave të dhunës.
Qëllimi i aktiviteteve është veprimi parandalues për të penguar shfaqjen e kësaj forme dhune dhe inkurajimi i viktimave që çdo rast dhune ta paraqesin me kohë në polici. Në kuadër të aktivitetit u shpërnda edhe material edukativ.
Gjithashtu, nëpunës policorë nga Njësia Policore për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor Kavadar, në Kavadar, realizuan aktivitet parandalues nga fusha e sigurisë në komunikacion, ku përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me drejtuesit e automjeteve u theksua nevoja për respektimin e rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit, me theks të veçantë në detyrimin e përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e komunikacionit dhe gjendjen e rrugëve.
Nëpunës policorë nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup, Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë dhe NjPB Probishtip, në Shkup, Tetovë dhe Probishtip, realizuan aktivitete parandaluese të dedikuara për drejtuesit e motoçikletave, trotinetëve elektrikë dhe biçikletave. Gjatë aktiviteteve, drejtuesit u rikujtuan për rregullat dhe detyrimet për pjesëmarrje të kujdesshme dhe të përgjegjshme në komunikacion, veçanërisht për detyrimin e mbajtjes së helmetës mbrojtëse. Në Shtip, aktivitetet parandaluese ishin të orientuara në informimin e qytetarëve për pasojat që mund të shkaktohen nga përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit.
Me këto aktivitete edhe një herë u theksua nevoja për ngritjen e kulturës së komunikacionit tek pjesëmarrësit në komunikacion, përmes respektimit të rregullave të komunikacionit dhe sjelljes së përgjegjshme, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së tyre, të familjeve të tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Në kuadër të aktiviteteve u shpërnda edhe material edukativ.
Në Berovë, ndërkaq, sot nëpunës policorë nga Stacioni Policor Berovë realizuan aktivitete parandaluese të fokusuara në parandalimin e zjarreve dhe prerjes së paligjshme të pyjeve. Gjatë bisedave me qytetarët, nëpunësit policorë theksuan nevojën për kujdes dhe përgjegjësi maksimale ndaj fondit pyjor. Gjithashtu, qytetarët u informuan se prerja e paligjshme e drunjve dhe shkaktimi i zjarreve përbëjnë vepra penale që sanksionohen në përputhje me ligjin. Qytetarëve iu shpërnda edhe material edukativ i shtypur, i përgatitur në bashkëpunim me NP “Pyjet Nacionale”.
Nëpunës policorë nga SPB Shkup sot realizuan një takim pune në Komunën e Haraçinës me përfaqësues të komunës, ku temë diskutimi ishin masat dhe aktivitetet për parandalimin e zjarreve, si dhe masat për përballimin e dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.

Accessibility Menu