Sot (28.08.2026), nëpunës policorë të SPB Shkup, në territorin e Komunës së Sarajit, realizuan aktivitete parandaluese për parandalimin e zjarreve. Nëpunësit policorë, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, theksuan nevojën për sjellje të përgjegjshme në natyrë, me theks të veçantë në shmangien e ndezjes së zjarreve, të mos hedhin bishta të cigareve dhe, nëse vërejnë zjarr, menjëherë të raportojnë rastin në numrin e telefonit 112. Ndërkaq, fermerëve u theksua nevoja për kryerjen me kujdes të punëve bujqësore, përkatësisht për rreziqet e shkaktimit të zjarreve nga djegia e kufijve, kallamishteve dhe barit të thatë, si dhe mbeturinave në ara. Gjithashtu, u cek se shkaktimi i zjarreve paraqet vepër penale, e cila sanksionohet në përputhje me ligjin. Qytetarëve iu shpërnda edhe material edukativ i shtypur, i përgatitur në bashkëpunim me NP „Pyjet Kombëtare“, me porosinë për respektimin e ndalimit të lëvizjes në pyje.
Seksioni për Parandalim dhe SP për SKRR pranë SPB Shtip, si dhe Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë zhvilluan aktivitete parandaluese për trafik më të sigurt. Në pikëpagesën e autostradës „Kadrifakovë“, në kuadër të fushatës „Verë e sigurt – vozit i pushuar“, nëpunës policorë të SPB Shtip, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me drejtuesit e automjeteve theksuan rëndësinë e drejtimit të automjetit kur janë të pushuar, pasi lodhja dhe ulja e përqendrimit janë ndër shkaqet kryesore të shkaktimit të aksidenteve të trafikut gjatë verës.
Gjithashtu, u theksua se gjatë kësaj periudhe, kur është rritur frekuenca e trafikut dhe drejtuesit e automjeteve udhëtojnë drejt destinacioneve verore duke përshkuar qindra kilometra, është veçanërisht e rëndësishme të bëhen pushime më të shpeshta gjatë udhëtimit, si dhe të respektohen rekomandimet për vozitje të sigurt dhe sinjalizimin rrugor.
Nëpunësit policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Tetovë në rrugën rajonale Tetovë–Jazhincë, më saktësisht në hyrje të fshatit Leshok, i informuan drejtuesit e automjeteve për pasojat që mund të shkaktohen nëse drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësve në trafik iu shpërndanë fletushka informuese-edukative, të përgatitura në bashkëpunim me KRSKRR-në dhe Fakultetin e Sigurisë – Shkup.