Sot (16.03.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles realizuan aktivitete parandaluese–edukative për mbrojtje nga deliktet pronësore dhe mashtrimet në temat: “Mbroje shtëpinë tënde”, “Vjedhjet e xhepave” dhe “Mashtrimet”. Qytetarëve iu theksua nevoja për më shumë kujdes dhe mënyrat se si të mbrohen nga lloje dhe forma të ndryshme vjedhjesh dhe mashtrimesh. Aktiviteti ishte veçanërisht i orientuar drejt popullatës më të moshuar, e cila shpesh është cak i delikteve të ndryshme pronësore, duke u theksuar rëndësia e mbrojtjes së mirë të shtëpive të tyre, kujdesi për sendet personale dhe vigjilenca gjatë komunikimit me persona të panjohur, në mënyrë që të mos bëhen viktima të vjedhjeve dhe të mashtrimeve.
Gjithashtu sot, në hapësirat e shkollës fillore “Besa” në Tetovë u realizua implementimi praktik i projektit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna gjinore dhe dhuna familjare “Ka ndihmë për një jetë pa dhunë”, i cili udhëhiqet nga SPB Tetovë – Seksioni për Parandalim, në bashkëpunim me përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale Tetovë. Gjatë ligjëratës, nxënësit u njohën me konceptin dhe format e dhunës në familje (fizike, psikologjike, ekonomike dhe seksuale), mënyrat për ta njohur dhunën dhe pasojat e saj, mundësitë për raportimin e dhunës në polici, në Qendrën për Punë Sociale dhe në shërbimet shkollore, si dhe me rolin e institucioneve në trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave dhe kornizën ligjore, përfshirë Kodin Penal dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare. Sipas planit, për temën e njëjtë “Ka ndihmë për një jetë pa dhunë”, në komunën e Bogovinës u mbajt edhe një takim i Grupit Këshillëdhënës të Qytetarëve.
Ndërkohë, sot nëpunës policorë nga Stacioni Policor Dellçevë dhe Qendra Rajonale për Çështje Kufitare Lindje, së bashku me një përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Dellçevës, në shkollën fillore “Vanço Përqe” në Dellçevë mbajtën ligjëratë në temën “Parandalimi dhe mbrojtja nga varësitë – nikotina, alkooli dhe droga”. Gjatë prezantimit, nxënësve u shpjeguan pasojat e dëmshme të varësive dhe mënyrat se si të mbrohen prej tyre. Ligjëratë me të njëjtën temë, si dhe me temën “Bulizmi dhe dhuna mes bashkëmoshatarëve”, u mbajt edhe në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Sveti Nikollë.