Në kuadër të fushatës „Sigurt në verë – vozit i pushuar“, gjatë ditës së djeshme (24.07.2026), zyrtarët policorë nga Seksioni për parandalim pranë SPB Veles, së bashku me përfaqësues ngaKëshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në territorin e Komunës së Gradsko realizuan aktivitet parandalues, ku përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me drejtuesit e automjeteve theksuan rëndësinë e drejtimit të automjetit në gjendje të pushuar.
Lodhja dhe rënia e përqendrimit janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të trafikut gjatë verës, prandaj është veçanërisht e rëndësishme që gjatë udhëtimeve të bëhen pushime më të shpeshta dhe të respektohen rekomandimet për vozitje të sigurt, përdorimi i detyrueshëm i rripit të sigurisë për të gjithë udhëtarët dhe të mos përdoret telefoni celular gjatë drejtimit të automjetit.
Dje, aktivitet parandalues për siguri në komunikacion u realizua edhe në Kavadar, ku theks i veçantë iu kushtua nevojës për ndërgjegjësim të drejtuesve të automjeteve dhe detyrimit për mirëmbajtje të rregullt dhe kontroll teknik të automjeteve si parakusht kryesor për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion. Drejtuesve të automjeteve iu shpërnda edhe material edukativ, i përgatitur në bashkëpunim me KRSKRR- në.
Gjithashtu, më 24.07.2026, Departamenti për parandalim pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me KRSKRR, realizoi aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion në territorin e Qendrës dhe Bit Pazarit, me temat „Mbaj helmetë“, „Këmbësorë“ dhe „Vendos rripin e sigurisë“.
Qëllimi kryesor është rritja e kulturës në komunikacion në drejtim të respektimit të rregullave dhe dispozitave të trafikut gjatë drejtimit të automjeteve motorike dhe motoçikletave, si dhe forcimi i besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Zyrtarët policorë nga Seksioni për parandalim pranë SPB Shtip realizuan „Patrullë fqinjësore-qytetare“ në kuadër të aktiviteteve parandaluese të drejtuara ndaj sigurisë së të rinjve dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.
Së bashku me përfaqësues të Këshillit të Komunës së Shtipit dhe Qendrës për Punë Sociale Shtip, u vizituan vende ku ka prani më të madhe të të miturve, si parqe, kënde lojërash dhe vende të ngjashme. Të miturve iu theksua nevoja për sjellje të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme, si dhe respektimi i rendit dhe qetësisë publike. Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të dhunës mes bashkëmoshatarëve, vandalizmit dhe pasojave të padëshiruara nga përdorimi i alkoolit dhe substancave psikotrope.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale Probishtip dhe Këshillin Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, u realizua aktivitet parandalues me temën „Patrullë fqinjësore – e përzier“.
Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte ndërmarrja e masave dhe aktiviteteve për përmirësimin e bashkëpunimit të policisë me komunitetin, parandalimin dhe zvogëlimin e dhunës dhe dhunës mes bashkëmoshatarëve, parandalimin e të gjitha formave të bullizmit, si dhe parandalimin e qasjes dhe përhapjes së drogave narkotike dhe substancave psikotrope.