Gjatë ditës së djeshme (17.02.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Tetovë në SHFK “Liria” në Tetovë mbajtën ligjërata me temë “Bullizmi dhe parandalimi i dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve”, me theks të veçantë mbi dhunën kibernetike. Nxënësit u njohën me mënyrat e identifikimit dhe raportimit të kësaj sjelljeje devijante, si dhe me format e parandalimit të saj. Në ligjërata u trajtuan format dhe aspektet e ndryshme të dhunës mes bashkëmoshatarëve, si dhe sfidat që rrjedhin nga përdorimi i rrjeteve sociale, të cilat kanë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve. Ligjërata të tilla sot u realizuan edhe në territorin e SPB Shkup, konkretisht në SHF “Aco Shopov”, SHF “Vëllezërit Ramiz dhe Hamid” dhe SHF “Naim Frashëri”.
Në Shkup, në territorin e Stacionit Policor Karposh, sot nëpunës policorë realizuan aktivitetin parandalues “Mos lini sende me vlerë në automjetin tuaj”. Në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, ata theksuan nevojën që të mos lihen sende me vlerë në automjetet e parkuara, me qëllim parandalimin e vjedhjeve të rënda nga automjetet e udhëtarëve. Po ashtu, qytetarëve u janë dhënë këshilla për mënyrat e parandalimit në bashkëpunim të ngushtë me policinë, u janë shpërndarë materiale të shtypura edukative dhe u është theksuar se çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet në stacionin policor.
Ndërkohë, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Ohër që nga dita e djeshme kanë nisur një fushatë të re parandaluese-edukative në fushën e komunikacionit, e cila realizohet në tërë territorin e SPB Ohër. Qëllimi është ngritja e kulturës së sigurisë te qytetarët – pjesëmarrës në komunikacion, si dhe forcimi i vetëdijes për kujdes dhe përgjegjësi më të madhe në komunikacion. Në disa lokacione në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër, nëpunësit policorë përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët i rikujtuan për nevojën e respektimit konsekuent të shenjave të komunikacionit dhe sinjalizimit vertikal e horizontal, duke shpërndarë edhe fletushka edukative me informacione dhe rekomandime të dobishme.
Nëpunës policorë nga SPB Shtip dhe nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup sot (18.02.2026), në Shtip dhe Shkup, realizuan aktivitete parandaluese për rikujtimin e vozitësve mbi obligimin për posedimin e pajisjes dimërore në automjete në periudhën nga 15.11.2025 deri më 15.03.2026. Në Berovë dhe Dellçevë, theksi i aktiviteteve parandaluese ishte vendosur në sigurinë e këmbësorëve, si dhe në nevojën për servisimin e rregullt dhe kontrollimin e rregullsisë teknike të automjeteve.