Më 29.07.2026, në rrugën lokale Shkup–Veles, pranë INP Burgu i Idrizovës dhe kryqëzimit të lagjes Jurumleri me lagjen Dollno Lisiçe, zyrtarët policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Shkup zhvilluan fushata parandaluese për siguri në komunikacion dhe mbrojtje nga zjarret. Lidhur me qarkullimin rrugor, theksi u vu në temën “I sigurt në motoçikletë – mbaje helmetën”, përkatësisht te siguria e motoçiklistëve. Ndërsa lidhur me mbrojtjen nga zjarret, u theksua rëndësia e reagimit të shpejtë dhe njoftimit në kohë të autoriteteve kompetente nëse vërehet zjarr në hapësirë të hapur. Gjithashtu, shoferëve dhe këmbësorëve iu shpërndanë materiale edukative të përgatitura nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, si dhe u vendosën postera për mbrojtjen nga zjarret.
Njësia për Parandalim pranë SPB Kumanovë, së bashku me Këshillin Komunal për Parandalim të Komunës së Kumanovës, po ashtu sot zhvilluan në territorin e qytetit një aktivitet parandalues kushtuar trotineteve elektrike dhe ndryshimeve të reja në Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, sipas të cilave trotinet elektrik do të mund të drejtojë vetëm personi që ka mbushur moshën 18-vjeçare. Gjatë aktivitetit, qytetarët u njohën edhe me ndryshimet e tjera të ligjit, ndërsa u shpërndanë fletushka me përmbajtje edukative.
Aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion u realizuan sot edhe në Veles. Zyrtarët policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Veles diskutuan me qytetarët mbi temën “Parko me ndërgjegje – parko me përgjegjësi”, duke theksuar nevojën për parkim vetëm në vendet e lejuara, respektimin e vendeve të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara dhe respektimin e shenjave të komunikacionit dhe sinjalizimit horizontal. Në kuadër të aktivitetit u shpërndanë materiale edukative të përgatitura në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Fakultetin e Sigurisë në Shkup.
Ndërkaq, dje (28.07.2026), zyrtarët policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Ohër zhvilluan takime me banorët e fshatrave Lakoçerej i Epërm dhe i Poshtëm të Ohrit, me qëllim rritjen e vetëdijes publike për nevojën e mbrojtjes së pyjeve nga zjarret dhe parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura. Veçanërisht u theksua nevoja për njoftimin e menjëhershëm të institucioneve kompetente në rast se vërehet zjarr në hapësirë të hapur.
Më 28.07.2026, zyrtarët policorë të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare Lindje, së bashku me Këshillin Komunal për Siguri në Komunikacionin Rrugor të Dellçevës, realizuan aktivitetin parandalues “Udhëtojmë të sigurt”. Përmes bisedave dhe shpërndarjes së fletushkave, drejtuesit e automjeteve u rikujtuan që para nisjes për udhëtime të gjata të jenë të pushuar, gjatë udhëtimit të bëjnë pushim çdo dy deri në tre orë për të paktën 15 minuta, të përdorin rripin e sigurimit dhe të kontrollojnë gjendjen teknike të automjetit, me qëllim rritjen e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Sot, në Shtip dhe Berovë u zhvilluan aktivitete parandaluese me moton “Mos përdor telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit”, ku drejtuesve të automjeteve iu shpjegua legjislacioni në fuqi lidhur me detyrimin që të mos përdorin telefon celular gjatë drejtimit të automjetit. Ndërsa në Probishtip, aktiviteti parandalues ishte me temën “Parandalimi dhe mbrojtja nga zjarret”. Përmes bisedave të drejtpërdrejta, qytetarëve u është shpjeguar rreziku nga ndezja e zjarrit në hapësira të hapura, zjarret pyjore dhe zjarret në objekte. Gjithashtu, u shpërndanë fletushka me përmbajtje edukative