Sot (23.07.2026), Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup zhvilloi aktivitete parandaluese për mbrojtjen nga vjedhjet në automjete dhe për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Në territorin e Komunës Qendër, në rrugën “Llazar Liçenovski” dhe në parkingun pranë Kalasë së Shkupit, u realizua fushata “Mos lini sende me vlerë në automobilin tuaj”, me ç'rast drejtuesit e automjeteve u këshilluan të mos lënë sende me vlerë në automjetet e parkuara, ndërsa në automjete u vendosën materiale edukative me përmbajtje informuese. Ndërkaq, aktivitetet për sigurinë në komunikacion u zhvilluan në bulevardin “Serbia”, në territorin e Stacionit Policor Aerodrom, me temat “Mbaj helmetën” dhe “Mos fol në telefon gjatë drejtimit të automjetit”. Qëllimi kryesor i fushatës ishte rritja e kulturës së komunikacionit, duke nxitur respektimin e rregullave dhe dispozitave të trafikut gjatë drejtimit të automjeteve dhe motoçikletave. Aktivitete parandaluese u zhvilluan sot edhe në disa qytete në territorin e SPB Shtip. Në Berovë, Koçan, Shtip dhe Probishtip u realizuan aktivitete për rritjen e sigurisë në komunikacion me temat “Sigurt me trotinet dhe moped”, “Parko me ndërgjegje, parko me përgjegjësi” dhe “Vendos rripin e sigurimit”. Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrësve në komunikacion iu shpërndanë materiale edukative me përmbajtje dhe këshilla të dobishme, ku u shpjegua edhe legjislacioni lidhur me respektimin e rregullave dhe dispozitave të komunikacionit.
Ndërsa dje (22.07.2026), në qendrën e qytetit dhe në Tregun e Qytetit në komunën e Probishtipit, nëpunës policorë të NJPB Probishtip realizuan aktivitetin parandalues “A e dini ku është fëmija juaj pas mesnate?”. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte rritja e sigurisë së përgjithshme përmes respektimit të ligjeve, forcimit të besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve, si dhe ngritjes së vetëdijes tek prindërit dhe të miturit për nevojën e mbikëqyrjes më të madhe nga ana e prindërve, veçanërisht gjatë orëve të natës. Gjatë aktivitetit u dhanë këshilla për shmangien e konsumimit të alkoolit dhe substancave narkotike, si dhe për parandalimin e kundërvajtjeve dhe veprave penale me elemente dhune, ku të miturit mund të paraqiten si autorë të mundshëm.
Po ashtu, prindërve iu bë me dije se neglizhenca në kujdesin ndaj fëmijëve mund të përbëjë kundërvajtje ose vepër penale. Gjatë aktivitetit u shpërndanë edhe fletushka me përmbajtje edukative mbi këtë temë