Sot (05.05.), Njësia për parandalim pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me KRSKRR dhe nëpunës policorë nga Stacioni Policor Aerodrom, realizuan një aktivitet preventiv në fushën e sigurisë në komunikacion nën moton "Të gjithë jemi këmbësorë". Aktiviteti, i cili përveçse ishte parandalues, kishte edhe karakter edukues, u zhvillua në Bulevardin "Serbia". Qëllimi kryesor i projektit ishte rritja e kulturës së trafikut me qëllim respektimin e rregullave dhe dispozitave të komunikacionit, si dhe forcimin e besimit dhe bashkëpunimit midis policisë dhe qytetarëve. Njëherit, shoferëve dhe këmbësorëve u shpërndanë fletëpalosje edukative të prodhuara në bashkëpunim me KRSKRR.
Dje, Njësia për parandalim në SPB Shkup, në bashkëpunim me NP "Pyjet Nacionale" dhe Njësia policore Mirkovc, nën moton "Vera pa zjarre" dhe "Flakët janë të pandalshme", kryen aktivitete parandaluese për mbrojtje nga zjarri në pritje të sezonit të verës.
Përveç kësaj, në zonën e Njësisë policore të Mirkovcit, përkatësisht në fshatrat Mirkovc, Kuçevishte dhe në komunën Çuçer Sandevë, nëpunësit policorë zhvilluan takime me popullatën lokale, si dhe me vizitorët e këtij rajoni, gjatë të cilave në komunikim të drejtpërdrejtë u theksua domosdoshmëria e sjelljes së kujdesshme dhe të përgjegjshme, veçanërisht në lidhje me djegien e kashtës dhe gardheve, hedhjen e mbetjeve të cigareve dhe mbeturinave të tjera të ndezshme gjatë piknikëve, përkatësisht eliminimin e të gjitha rreziqeve të mundshme që mund të shkaktojnë zjarre në pyje. Njëkohësisht, qytetarëve iu shpërndanë edhe fletëpalosje edukative me përmbajtje të dobishme mbi pasojat ligjore dhe parandalimin e zjarreve në pyje, të përgatitura në bashkëpunim me NP "Pyjet Nacionale".