Më 11.06.2026, nëpunës policorë nga Seksioni i Parandalimit pranë SPB Veles dhe nëpunës policorë nga Njësia Policore Çashkë realizuan aktivitete parandaluese-edukative në fshatrat Otovicë, Sujaklarë, Ivankovc, Mamutçevë, në territorin e Komunës së Çashkës, si dhe në fshatin Izvor, nën motot “Flakët janë të pandalshme” dhe “T’i mbrojmë pyjet tona nga zjarret pyjore dhe prerjet e paligjshme”.
Në kuadër të aktiviteteve, qytetarëve iu theksua nevoja e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe raportimin e detyrueshëm të sjelljeve të papërgjegjshme, siç janë hedhja dhe djegia e mbeturinave, ndezja e zjarrit në hapësira të hapura dhe pranë brezave pyjorë, hedhja e bishtave të cigareve dhe veprime të ngjashme, me qëllim reagimin e shpejtë dhe në kohë. Gjatë periudhës verore, për shkak të temperaturave të larta, rritet edhe rreziku i shkaktimit të zjarreve nga pakujdesia. Prandaj, u theksua nevoja për mbrojtjen dhe zvogëlimin e rrezikut nga zjarret pyjore dhe zjarret në hapësira të hapura, si dhe kryerja me kujdes e punëve bujqësore, me theks të veçantë te rreziku nga djegia e kufijve të parcelave, kashtës së thatë dhe mbeturinave në ara.
Sot, në disa lokacione në Dellçevë, u realizua aktivitet parandalues nën motot “Mos përdor telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit” dhe “Drejto me përgjegjësi – mbaj helmetën”. Pjesëmarrësve në komunikacion iu tërhoq vëmendja për gjendjen teknike të automjeteve të tyre dhe u apelua që të drejtojnë me kujdes dhe të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit. Gjatë aktivitetit, shoferëve iu shpërndanë edhe fletushka me përmbajtje edukative.
Po ashtu, sot, Njësia e Parandalimit pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor në territorin e Gjorçe Petrovit realizoi fushata parandaluese-edukative në fushën e delikteve pasurore me motot “Çdokush mund të jetë viktimë”, “Kujdes – mashtrimet telefonike” dhe “Parko me ndërgjegje – parko me përgjegjësi”. Qëllimi kryesor i projektit ishte rritja e kulturës së sigurisë tek qytetarët, si dhe forcimi i besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Njëkohësisht, shoferëve iu theksua nevoja për respektimin e plotë të rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit, me theks të veçantë në parkimin e ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm të automjeteve.
Aktivitete parandaluese për forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve, si dhe për një komunikacion më të sigurt, u realizuan edhe në Tetovë. Gjatë takimeve të drejtpërdrejta, qytetarët u njohën me rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e policisë. Atyre u shpjegua edhe se si të mbrohen nga deliktet pasurore (vjedhja e kuletave, çantave dhe sendeve të tjera me vlerë), si dhe procedura për paraqitjen e këtyre rasteve në polici.
Në Tetovë vazhdoi edhe zbatimi praktik i projektit edukativ-parandalues „Hap pas hapi“, në të cilin do të përfshihen fëmijët e moshës parashkollore nga 14 kopshtet e fëmijëve të Tetovës. Nëpunësit policorë nga Stacionet Policore për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor në Tetovë dhe Gostivar mbajnë ligjërata dhe u shpjegojnë fëmijëve se si të lëvizin në mënyrë të sigurt në komunikacion, duke respektuar rregullat dhe shenjat rrugore.