Sot (30.05.) nëpunësit policorë të Seksionit për parandalim pranë SPB Veles, të Seksionit për krim kompjuterik pranë SPB Veles si dhe nga Zyra policore e Demir Kapisë, në Shtëpinë e Kulturës në Demir Kapi, zhvilluan një aktivitet edukativ për parandalimin e veprave penale në fushën e krimit kompjuterik "Mashtrimi kompjuterik", "Keqpërdorimi i të dhënave personale" dhe "Dëmtimi dhe hyrja e paautorizuar në sistem kompjuterik".
Qëllimi i aktivitetit ishte që të informohen qytetarët rreth këtyre llojeve të veprave penale dhe të edukohen si të mbrohen nga ky lloj krimi.
Grupi i synuar ishin personat më të moshuar të cilët janë caqe më të lehta të mashtrimit dhe nuk janë të informuar sa duhet në funksionimin e rrjeteve sociale dhe mënyrave të pagesës, të cilëve iu shpjeguan format e këtyre llojeve të mashtrimit përmes shembujve. Qytetarëve iu tha që të mos instalojnë aplikacione që u lejojnë mashtruesve qasjen nga larg në telefonat e tyre celularë dhe në bankën elektronike, si dhe u paralajmëruan për rastet e pranimit të mesazheve të rreme SMS, të cilat u bëjnë thirrje të paguajnë një shumë të caktuar parash për një produkt të caktuar, fitime monetare dhe fitime nga kriptovalutat, kurse në fakt janë subjekt i vjedhjes së të dhënave nga kartelat pagesore të tyre. Njëherësh, iu vu në dukje që të kenë kujdes kur komunikojnë me persona të panjohur, duke pasur parasysh mundësinë e të qenit viktima të mashtrimit përmes zhvatjes së parave për gjoja furnizimin e druve për ngrohje, blerjen e hekurit, njoftimet e aksidenteve të rreme rrugore, ofertat për blerjen ose shitjen e automjeteve ose pasurive të paluajtshme, etj.
Gjithashtu iu shpjeguan hollësisht metodat dhe procedurat që duhen ndërmarrë me qëllim të mbrohen nga autorët e veprave të këtilla penale.
Njëherësh pensionistëve iu shpërndanë edhe materiale me përmbajtje edukative.