Sot (04.03.2026), në shkollën fillore “Ali Fetahi Okraj” në fshatin Debresht, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Manastir dhe nga NJPB Ropotovë mbajtën ligjëratë edukative për nxënësit e klasave të teta dhe të nënta si dhe për prindërit e tyre, lidhur me temat e sigurisë në komunikacion, dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe krimit kibernetik. Të pranishmëve u janë theksuar obligimet ligjore dhe pasojat e sjelljes së papërgjegjshme dhe kundërligjore, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shkollës, prindërve dhe policisë me qëllim parandalimin me kohë dhe mbrojtjen e të miturve.
Gjithashtu, sot në disa lokacione në Veles, nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles realizuan aktivitet parandalues nga fusha e sigurisë në komunikacionin rrugor me temë “Mos përdor telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit”. Me këtë rast, drejtuesve të mjeteve u është tërhequr vëmendja për rreziqet nga përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit. Qëllimi i aktivitetit është rritja e vetëdijes së pjesëmarrësve në komunikacion dhe e nivelit të kulturës së komunikacionit, në drejtim të uljes së numrit të aksidenteve rrugore.
Më 04.03.2026 në Dellçevë dhe Berovë u realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtje nga deliktet pronësore, me theks të veçantë në mbrojtjen nga të gjitha llojet e vjedhjeve. Në biseda të drejtpërdrejta, personave të moshuar u është sqaruar që të jenë të kujdesshëm dhe si të mbrohen nga vjedhjet dhe vjedhjet me thyerje, përkatësisht masat që mund të ndërmerren për mbrojtje nga këto lloje të delikteve pronësore.
Në Berovë, Vinicë dhe Sveti Nikollë u realizuan aktivitete për parandalimin e dhunës ndaj grave, ku qytetarëve u janë shpërndarë fletushka me këshilla për vetëmbrojtje dhe informacione për shërbimet e dhëna të ndihmës. Ndërsa në Koçan, Shtip dhe Sveti Nikollë u realizuan aktivitete parandaluese për komunikacion më të sigurt.
Aktivitet parandalues për siguri në komunikacion u realizua edhe në shkollën fillore “Liria” në Tetovë. Me ligjëratë edukative me temë “Rregullat e komunikacionit për këmbësorët e vegjël – Siguri më e madhe e fëmijëve në komunikacion”, nxënësve të klasës së dytë u është shpjeguar se si t’i njohin rregullat dhe shenjat themelore të komunikacionit, mënyra e kalimit të rrugës, lëvizja në trotuar, si dhe respektimi i rregullave dhe rregulloreve me qëllim shmangien e rreziqeve të mundshme.