Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski: Për “Qytetin e Sigurt”, me vendosjen e numrit amë parandalohet dërgimi i të dhënave te personi i gabuar, ndërsa gabimet eventuale do të korrigjohen brenda 24 orëve

Toshkovski: Për “Qytetin e Sigurt”, me vendosjen e numrit amë parandalohet dërgimi i të dhënave te personi i gabuar, ndërsa gabimet eventuale do të korrigjohen brenda 24 orëve
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje në Ditarin e Televizionit Kombëtar të Maqedonisë, foli për fillimin e zbatimit të projektit “Qyteti i Sigurt”, duke i informuar qytetarët për mënyrën e funksionimit të sistemit dhe procedurat në rast të mospërputhjeve të mundshme në të dhënat.
Toshkovski vuri në dukje se një pjesë e të dhënave për pronarët e automjeteve në evidencat ekzistuese mund të jenë të pasakta, gjë që mund të vijë si pasojë e informacioneve të gabuara të dhëna më parë nga qytetarët ose e gabimeve gjatë futjes së të dhënave në sisteme. Për këtë arsye, është e mundur që disa qytetarë të marrin njoftim ose procesverbal që nuk ka të bëjë me automjetin e tyre apo me ndonjë shkelje që ata nuk e kanë kryer.
“Çdo qytetar që vëren mospërputhje në të dhëna do të ketë të drejtë t’i drejtohet cilitdo stacioni policor dhe të raportojë se bëhet fjalë për gabim – se automjeti nuk është i tij, se nuk ka qenë ai që ka drejtuar automjetin apo se ekziston ndonjë pasaktësi tjetër. Sipas procedurës së përcaktuar me ligj, Ministria e Punëve të Brendshme brenda 24 orëve do të kryejë verifikimin dhe korrigjimin e të dhënave, ndërsa qytetari do të njoftohet se nuk do të ndiqet për kundërvajtje nëse nuk e ka kryer shkeljen”, theksoi ministri.
Ai shtoi se në sistemin e ri është futur edhe një mekanizëm shtesë për mbrojtjen e të dhënave personale. Pas marrjes së njoftimit me SMS për kundërvajtjen rrugore, qytetari përmes një linku do të ketë qasje në procesverbal, ku për shkarkimin e dokumentit do të kërkohet futja e numrit amë. Me këtë mundësohet autentikimi shtesë dhe verifikimi i saktësisë së të dhënave, me qëllim që informacionet personale të mos i dërgohen personit të gabuar.
Ministri theksoi se, pavarësisht teknologjisë moderne, janë të mundshme gabime teknike për shkak të faktorëve të jashtëm siç janë: ndriçimi, kushtet atmosferike apo rrethanat e tjera që mund të ndikojnë në leximin e targave të regjistrimit. Në raste të tilla, qytetarët do të kenë sërish mundësi të kërkojnë korrigjim, i cili do të bëhet në afatin më të shkurtër të mundshëm.
“Nuk ekziston sistem i përsosur dhe nuk pretendoj se nuk do të ketë gabime. Do të ketë, por ato do të korrigjohen. Ky sistem është dukshëm më i mirë nga ai që kemi pasur më parë, ndërsa qëllimi i tij kryesor është të shpëtojë jetë dhe të sigurojë më shumë siguri në komunikacion. Është e rëndësishme që përgjegjësi të mbajë ai që e ka kryer shkeljen”, porositi Toshkovski.
Projekti “Qyteti i Sigurt” është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme për digjitalizim, rritje të transparencës dhe përmirësim të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

Accessibility Menu