Sot (30.01.2026) në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zhvillua një takim pune midis Ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ambasadorit të Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T. Kristof Zomer.
Në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve, me ç'rast u vlerësua se marrëdhëniet dypalëshe në fushën e punëve të brendshme po zhvillohen në vazhdimësi, bazuar në besimin e ndërsjellë, partneritetin dhe vlerat e përbashkëta. Bashkëbiseduesit theksuan gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin përmes zbatimit të projekteve dhe iniciativave të përbashkëta në disa fusha me interes të ndërsjellë, me fokus në forcimin institucional dhe shkëmbimin e ekspertizës.
Theks i veçantë u vu në partneritetin në fushën e migracionit, që paraqet një segment të rëndësishëm të bashkëpunimit të ndërsjellë. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e vazhdimit të dialogut të punës, koordinimit dhe shkëmbimit të përvojave, me qëllim menaxhimin më efikas të flukseve të migrimeve dhe përballimin e sfidave që lidhen me këtë fushë.
Njëkohësisht, u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer policor midis institucioneve kompetente të të dy vendeve, i cili zhvillohet në një nivel shumë profesional dhe paraqet një shtyllë të rëndësishme në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe. Bashkëbiseduesit ranë dakord se një bashkëpunim i këtillë kontribuon në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, me një vlerësim të përbashkët se ekziston një bazë e fortë për promovimin e mëtejshëm të partneritetit midis dy vendeve.