Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një paraqitje në edicionin informativ të Televizionit Kombëtar të Maqedonisë, sqaroi se si do të zbatohen sanksionet në kuadër të sistemit “Qyteti i Sigurt”, veçanërisht lidhur me shkeljet e shumëfishta dhe mundësinë e pagimit vullnetar të dënimeve.
Ai theksoi se rregullativa ligjore parashikon mekanizma të qartë sanksionimi, ku çdo shofer mund të bëjë shkelje, por tejkalimi serioz dhe i konsiderueshëm i shpejtësisë së lejuar shkakton pasoja më të rrepta.
“Nëse, për shembull, në një vend ku shpejtësia e lejuar është 50 kilometra në orë, shoferi drejton me mbi 90 kilometra në orë, shqiptohet edhe ndalim për drejtimin e mjetit motorik. Kjo do të thotë se për një periudhë të caktuar personi nuk do të mund të drejtojë as mjetin e vet dhe as ndonjë mjet tjetër të asaj kategorie”, sqaroi Toshkovski.
Ministri theksoi se sistemi parashikon mundësinë e pranimit vullnetar të përgjegjësisë, që sjell lehtësime të caktuara për qytetarët. Nëse dënimi paguhet brenda tetë ditëve, paguhet vetëm gjysma e shumës. Si plotësim, nëse në afat prej 16 ditëve qytetari e paguan dënimin dhe e pranon shkeljen, Ministria mund të shqiptojë ndalim për drejtim nën minimumin e paraparë me ligj.
“Nëse, sipas ligjit, për një shkelje të caktuar parashihet ndalim për drejtim prej minimum tre muajsh, në rast të pranimit vullnetar dhe pagesës, ky ndalim mund të ulet, për shembull, në 45 ditë. Këtë e kemi vendosur që t’i motivojmë qytetarët, kur ekzistojnë prova të qarta, të mos hyjnë në procedura të gjata gjyqësore”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon me video-incizime dhe fotografi si prova, gjë që mundëson saktësi të lartë në konstatimin e shkeljeve. Qytetarët, megjithatë, kanë të drejtë të inicojnë procedurë gjyqësore nëse vlerësojnë se është e nevojshme, por në atë rast nuk mund të zbatohen lehtësimet për uljen e sanksioneve nën minimumin ligjor.
“Qëllimi nuk është ndëshkimi me çdo kusht, por përgjegjësi më e madhe në komunikacion. Ata që kryejnë shkelje serioze do të përballen me pasojat, ndërsa sistemi është vendosur para së gjithash për të kontribuar në mbrojtjen e jetës së njerëzve”, theksoi ministri Toshkovski.
Projekti “Qyteti i Sigurt” paraqet një hap kryesor në rritjen e disiplinës në komunikacion, digjitalizimin e procedurave dhe forcimin e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.