Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Sektori për Krim Kompjuterik thirri 13 persona për shkak të përhapjes së informacioneve të rreme për ujin në Shkup

Sektori për Krim Kompjuterik thirri 13 persona për shkak të përhapjes së informacioneve të rreme për ujin në Shkup
Ministria e Punëve të Brendshme e informon opinionin publik se Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, lidhur me përhapjen e informacioneve të rreme në rrjetet sociale për ndotjen e supozuar të ujit të pijshëm në Shkup, deri më tani ka ftuar 13 persona në bisedë informative.
Me personat është zhvilluar bisedë zyrtare, me ç’rast të gjithë janë deklaruar se informacionet i kanë publikuar ose shpërndarë pasi paraprakisht kishin parë një publikim të ngjashëm në rrjetet sociale ose e kishin dëgjuar nga një person tjetër. Asnjëri prej tyre nuk ka treguar ndonjë burim konkret, të konfirmuar ose të besueshëm që do t’i mbështeste supozimet për ndotjen e ujit.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale do të vazhdojë me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, me qëllim të konfirmimit të të gjitha rrethanave që lidhen me ngjarjen, si dhe mënyrës se si informacionet janë shfaqur dhe më pas janë përhapur në hapësirën e internetit.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se përhapja e informacioneve të pakontrolluara dhe të pasakta, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, mund të shkaktojë panik dhe shqetësim të paarsyetuar në opinion.
U bëjmë apel qytetarëve që të mos shpërndajnë informacione saktësia e të cilave nuk është verifikuar dhe të informohen ekskluzivisht nga burime zyrtare dhe relevante. Përdorimi i përgjegjshëm i rrjeteve sociale dhe verifikimi i informacioneve para publikimit ose shpërndarjes së tyre janë thelbësore për parandalimin e dezinformatave dhe mbrojtjen e interesit publik.

Accessibility Menu