Nëpunës policorë nga Njësiti për Krime të Dhunshme, Departamenti për Krime Gjakësore në SPB Shkup, në bazë të urdhrave të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike - Shkup, ndërmorën disa veprime për sigurimin e provave me të cilat u sqarua plotësisht ngjarja që ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri para një objekti hotelierik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, gjatë së cilës me një send të mprehtë u privua nga jeta A.M.D. (22) nga Turqia, ndërsa Ç.E. (23) nga Turqia u plagos.
Në bazë të provave të siguruara, Ministria e Punëve të Brendshme sot ngriti kallëzim penal kundër M.T. (25) nga Republika e Turqisë me vendqëndrim në Tetovë për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se është kryerës i veprës penale - Vrasje sipas nenit 123, si dhe veprës penale - Tentim vrasje, përkatësisht sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, prokurori publik urdhëroi autopsinë e të ndjerit, u ngritën gjurmët për ekspertizë, u zhvilluan intervista me disa persona, ndërsa u morën video -incizime nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave u bë identifikimi i të dyshuarit.
Me fjalë të tjera, M.T. natën kritike në një kafe bar në Çarshi ka nisur zënkë me A.M.D. dhe Ç.E., pas çka dy të dëmtuarit së bashku me persona të tjerë u nisën për në shesh. Mirëpo, meqë nuk arritën të gjenin taksi, përsëri u kthyen kah çarshia dhe kaluan pranë kafe barit të njëjtë. Pas takimit të sërishëm me të dyshuarin, zënka vazhdoi, ndërsa M.T. nxori një thikë me të cilën i dha katër goditje në gjoks dhe në zemër të dëmtuarit A.M.D., i cili ndërroi jetë në vendngjarje. Me një goditje i shkaktoi lëndim trupor - plagë nga shpimi në shpinë edhe Ç.E., me qëllim që edhe atë ta privonte nga jeta, pas çka iku nga vendngjarja.
Pas ndërmarrjes së masave operative-taktike nga organet e përndjekjes është pranuar informacion se i dyshuari M.T. ndodhet në Kosovë, ku është privuar liria nga organet kosovare.