Departamenti për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër një 20-vjeçari nga Reçica e Vogël për kryerje të veprës penale “Terrorizëm”, më tej në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër një 89-vjeçari për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar i armëve ose lëndëve shpërthyese”.
I dyshuari K.H. (20), në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social “Discord”, ka dërguar kërcënim serioz se është i gatshëm të kryejë sulm me armë zjarri – pushkë automatike AK-47 e njohur si Kallashnikov, duke theksuar se vuan nga çrregullime të shëndetit mendor. Frymëzim për një sulm të tillë i ka shërbyer ngjarja e 14.12.2012 në SHBA, kur Adam Lanza, 20 vjeç, në një shkollë në SHBA me pushkë automatike vrau 26 persona, prej të cilëve 20 fëmijë.
Pas informacioneve të marra nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se nga ana e FBI-së është paraqitur kërkesë për zbulimin urgjent të një profili në “Discord” që ndodhet në vendin tonë, prej nga janë dërguar kërcënimet serioze, Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërmori veprime për identifikimin e autorit. Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17.02.2026, nëpunës policorë nga Departamenti për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, me asistencë të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” dhe në koordinim me Prokurorinë kompetente, kanë realizuar bastisje në shtëpi dhe objekte të tjera në një lokacion në Reçicë të Vogël, rajoni i Tetovës.
Gjatë kontrolleve, te K.H. dhe tek anëtarë të familjes së tij të ngushtë janë gjetur dhe sekuestruar disa sende që paraqesin objekt të veprës penale, siç janë: lloje dhe kalibra të ndryshëm të armëve të zjarrit, pushkë automatike AK-47 me dy karikatorë me 40 fishekë të kalibrit 7.62x39 mm, pistoletë “M57” me dy karikatorë me 49 fishekë, pistoletë “CHEROKEE” me dy karikatorë dhe mbi 600 fishekë të kalibrit 9 mm, jelekë taktikë, jelekë luftarakë (antiplumb), thika me gjatësi të ndryshme të tehut si dhe materiale të ndryshme elektronike me vlerë dëshmuese.
Dy persona janë privuar nga liria, me ç’rast kundër K.H. është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për veprën penale “Terrorizëm” sipas nenit 394-b paragrafi 2 të Kodit Penal, ndërsa kundër Xh.H. është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, ndërmjetësimi dhe tregtimi i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese” sipas nenit 396 të Kodit Penal.