Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Kallëzim penal ndaj dy personave nga Radovishi, në mënyrë të paautorizuar dhe në kushte johigjienike prodhonin akull në të cilin është konstatuar prania e baktereve, ujin për prodhim e siguronin nga lidhja ilegale në rrjetin e ujësjellësit

Kallëzim penal ndaj dy personave nga Radovishi, në mënyrë të paautorizuar dhe në kushte johigjienike prodhonin akull në të cilin është konstatuar prania e baktereve, ujin për prodhim e siguronin nga lidhja ilegale në rrjetin e ujësjellësit
SPB Strumicë – NJPB Radovish, drejtuar Prokurorisë Themelore Publike Radovish, ka paraqitur kallëzim penal ndaj T.D. (62) dhe S.D. (62), të dy nga Radovishi, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër të vazhduar penale „prodhim dhe lëshimi në qarkullim i produkteve ushqimore dhe produkteve të tjera të dëmshme“, sipas nenit 213 të Kodit Penal.
Të kallëzuarit, prej disa vitesh, si prodhues të paregjistruar të akullit, kanë prodhuar akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike dhe kështu të prodhuar në mënyrë të pasigurt e kanë vënë në qarkullim te persona të tjerë juridikë dhe fizikë. Më 16.09.2026, në bazë të urdhri gjyqësor, nëpunësit policorë të SPB Strumicë – NJPB Radovish, në koordinim me inspektorin shtetëror të ushqimit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, kanë realizuar bastisje në shtëpi dhe në ambiente të tjera, në katër lokacione të përdorura nga të kallëzuarit.
Me këtë rast, në tarracën e katit përdhes të shtëpisë ku jetojnë të kallëzuarit, janë gjetur ngrirës në të cilët kishte një numër të madh qesesh me kuba akulli. Akulli ishte i ruajtur dhe lënë nga të kallëzuarit për shitje nëpërmjet vetëshërbimit, ndërsa paratë nga shitja liheshin në një kuti të veçantë. Ndërsa, në ambientet e bodrumit të shtëpisë janë gjetur katër makina për prodhimin e akullit në formë kubash, si dhe një frigorifer-ngrirës tjetër në të cilin kishte një sasi të madhe kubash akulli, të paketuar në qese për shitje. Me udhëzim të inspektorit shtetëror, nga një ekip profesional i një laboratori të akredituar për analizimin e ushqimit dhe ujit janë marrë mostra të ujit që përdorej si lëndë e parë për prodhimin e akullit, mostra të produktit të gatshëm – akullit nga qeset e tre ngrirësve, si dhe mostra nga pajisjet për prodhimin e akullit.
Nga raporti i përfituar pas analizave mikrobiologjike dhe kimike të ujit është konstatuar se vetëm uji i përdorur për prodhim përmbushte parametrat e kërkuar, në përputhje me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Të gjitha mostrat e tjera të marra për analizë nuk i përmbushnin parametrat e kërkuar dhe në to është konfirmuar prania e bakterit Escherichia coli dhe e baktereve koliforme. Me këtë është vërtetuar se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve, për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale. Pas marrjes së rezultateve, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, makineritë e gjetura për prodhimin e akullit dhe ngrirësit me akullin e gatshëm, në sasi prej rreth 850 kilogramësh, janë vulosur dhe konfiskuar. Gjatë kontrolleve është konstatuar gjithashtu se prodhimi i akullit bëhej përmes linjave të furnizimit me ujë të vendosura në disa pika. Punonjësit e Ndërmarrjes Publike „Plavaja“ Radovish kanë konstatuar se uji që përdorej në pjesën e bodrumit nuk matet përmes ujëmatësit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në objektin e të kallëzuarve në vendin e quajtur „Gladno Pole“, në territorin e Radovishit, i cili është konstatuar se është ndërtuar pa leje, është gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore, të cilën e posedonin pa dokumentacionin përkatës. Pas dokumentimit të plotë të rasteve lidhur me objektin e ndërtuar pa leje dhe pushkën e konfiskuar, SPB Strumicë – NJPB Radovish do të paraqesë kallëzime përkatëse. Të dy personat janë privuar nga liria dhe janë mbajtur në Stacionin Policor Radovish.

Accessibility Menu