Sot, Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Aleksandar Janev, në kuadër të aktiviteteve të tij të rregullta, bëri një vizitë pune në SPB Tetovë, ku zhvilloi një takim me udhëheqësinë e Sektorit Rajonal.
Në takim, drejtori Janev u informua në detaje rreth planeve operative, vendosjes së shërbimeve dhe mënyrës se si do të sigurohet siguria publike në rajon në periudhën e ardhshme, si dhe në ditën e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. U diskutua edhe progresi në zgjidhjen e rastit të grabitjes në një artari në Gostivar.
U konkludua bashkërisht se situata e sigurisë në rajon është e qëndrueshme dhe se të gjitha aktivitetet policore kanë për qëllim parandalimin dhe sigurimin e shprehjes së lirë, paqësore dhe dinjitoze të së drejtës demokratike të qytetarëve - të drejtës së votës.
Drejtori Janev theksoi se policia nuk do të tolerojë asnjë formë dhune, presioni apo sjelljeje të paligjshme, dhe se kushdo që përpiqet të shkelë rendin publik, integritetin e procesit zgjedhor apo standardet e sigurisë do të përballet me një reagim të shpejtë, profesional dhe vendimtar të policisë.
Në rajonin e Tetovës, përveç pranisë fizike statike dhe mobile të policisë, siguria do të forcohet më tej me mjete teknike moderne – përmes kamerave të sistemit "Qytet i Sigurt", si dhe me monitorim ajror me dronë.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Byrosë së Sigurisë Publike, mbetet plotësisht e përkushtuar për të siguruar një proces zgjedhor paqësor, të sigurt dhe demokratik, si dhe për mbrojtjen e rendit publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.