Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, mori pjesë në konferencën „Siguria në Ballkanin Perëndimor“, e cila prej 18 deri më 20 nëntor u mbajt në Shkup, në organizim të partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, me fokus në sfidat bashkëkohore të sigurisë dhe forcimin e stabilitetit në rajon.
Iseni ishte folës në sesionin e pestë të konferencës, kushtuar mbrojtjes së infrastrukturës kritike, në të cilin u diskutua për rreziqet dhe kërcënimet e sigurisë që synojnë sistemet e transportit, energjetikës dhe komunikimit, duke përfshirë sulmet kibernetike, terrorizmin, sabotazhet, dezinformatat dhe format e tjera të kërcënimeve hibride.
„Siguria e infrastrukturës kritike përbën një nga çështjet kyçe për stabilitetin kombëtar dhe rajonal, veçanërisht në kushtet e një mjedisi gjithnjë e më kompleks të sigurisë dhe kërcënimeve të shtuara në hapësirën kibernetike“, theksoi zëvendësministri Iseni në fjalimin e tij.
Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi i forcon kapacitetet e saj për parandalimin, zbulimin dhe përballjen me kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike, përmes avancimit të vlerësimit të rreziqeve, përmirësimit të gatishmërisë operative dhe intensifikimit të bashkëpunimit me institucionet kompetente dhe operatorët e infrastrukturës kritike.
Në fjalën e tij, Iseni iu referua veçanërisht nevojës së zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve të sigurisë kibernetike, shkëmbimin në kohë të informacioneve dhe vendosjen e mekanizmave efikasë për paralajmërimin e hershëm, si parakushte të rëndësishme për parandalimin dhe zvogëlimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë.
Duke iu referuar dimensionit rajonal të sfidave të sigurisë, zëvendësministri theksoi se kërcënimet bashkëkohore hibride nuk njohin kufij shtetërorë, për çka është i domosdoshëm bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, trajnimeve të përbashkëta dhe veprimit të koordinuar institucional.
Iseni theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga Bashkimi Evropian në procesin e harmonizimit me standardet evropiane për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave. Me këtë rast, ai theksoi se forcimi i kapaciteteve kombëtare, së bashku me thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, ka rëndësi thelbësore për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.