Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Pjesëmarrja e MPB-së në punëtorinë rajonale në Tiranë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet gjyqësorit dhe mediave në luftën kundër krimit të organizuar

Pjesëmarrja e MPB-së në punëtorinë rajonale në Tiranë për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet gjyqësorit dhe mediave në luftën kundër krimit të organizuar
Ndihmësministri i Punëve të Brendshme për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike, Muhamed Ismaili, mori pjesë dhe mbajti fjalim në punëtorinë rajonale „Nga hetimi deri te informimi i opinionit: Avancimi i bashkëpunimit ndërmjet gjyqësorit dhe mediave në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor“, e cila po mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Tiranë, Republika e Shqipërisë.
 
Punëtoria është organizuar nga programet rajonale të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – GIZ), EU4FAST dhe Sustain Media. GIZ është agjenci shtetërore gjermane për bashkëpunim zhvillimor, e cila vepron në nivel global me qëllim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, arsimimit ndërkombëtar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
 
Në fjalimin e tij me temë „Transparencë pa e rrezikuar hetimin – roli i komunikimit institucional në luftën kundër krimit të organizuar“, Ismaili theksoi rëndësinë e informimit në kohë, të saktë dhe të përgjegjshëm të opinionit publik, duke respektuar njëkohësisht kufizimet ligjore dhe operative gjatë procedurave hetimore.
„Lufta kundër krimit të organizuar nuk nënkupton vetëm zbulimin dhe procedimin penal të veprimtarive kriminale. Ajo nënkupton edhe ndërtimin e besimit në institucione, ndërsa besimi në masë të madhe varet nga transparenca, profesionalizmi dhe përgjegjësia e tyre në komunikimin me opinionin publik“, theksoi Ismaili.
 
Ai vuri në pah tre aspekte kyçe për komunikim të suksesshëm institucional në rastet e krimit të organizuar: vendosjen e ekuilibrit ndërmjet transparencës dhe mbrojtjes së hetimeve, ndërtimin e marrëdhënieve të partneritetit me mediat dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal.
 
Duke iu referuar përvojave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ismaili theksoi se opinioni ka të drejtë të informohet për punën e institucioneve, por se publikimi i informacioneve duhet të planifikohet me kujdes dhe të koordinohet me organet kompetente policore dhe gjyqësore, me qëllim që të mos rrezikohen provat, aktivitetet operative dhe rrjedha e mëtejshme e hetimeve.
„Qëllimi ynë nuk është të publikojmë sa më shumë informacione, por të sigurojmë informacione të sakta, të verifikuara dhe relevante në momentin kur shpërndarja e tyre nuk do ta rrezikojë procedurën“, theksoi Ismaili.
 
Theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimit me mediat, të cilat, përveç informimit të opinionit, mund të jenë partnere të rëndësishme në përcjelljen e thirrjeve publike dhe informacioneve nga qytetarët, të cilat mund të kontribuojnë në zbulimin e veprimtarive kriminale. Në këtë drejtim, Ismaili theksoi nevojën për vendosjen e kanaleve të qarta dhe funksionale të komunikimit ndërmjet policisë dhe mediave, të bazuara në profesionalizëm, besim të ndërsjellë dhe përgjegjësi.
 
Duke folur për dimensionin rajonal të krimit të organizuar, ai theksoi se koordinimi ndërmjet policisë, prokurorive, institucioneve të tjera kompetente dhe partnerëve ndërkombëtarë është i domosdoshëm jo vetëm gjatë zhvillimit të hetimeve, por edhe në komunikimin me opinionin publik. Gjithashtu, ai paralajmëroi për sfidat që sjell mjedisi digjital, veçanërisht përhapjen e shpejtë të dezinformatave, spekulimeve dhe përmbajtjeve të paverifikuara përmes rrjeteve sociale.
„Transparenca dhe mbrojtja e hetimit nuk duhet të trajtohen si qëllime të kundërta. Përkundrazi, komunikimi i përgjegjshëm institucional është pikërisht mekanizmi përmes të cilit këto dy detyrime mund të harmonizohen“, theksoi Ismaili.
 
Në fund, ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve, gjyqësorit dhe mediave nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të avancimit të standardeve profesionale për informimin e opinionit publik dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucione.
„Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: opinioni publik të jetë i informuar, qytetarët të kenë besim në institucione, ndërsa hetimet të zhvillohen në mënyrë profesionale dhe pa rreziqe të panevojshme“, porositi Ismaili

Accessibility Menu