Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, këto ditë në Nju Jork merr pjesë në Forumin Global për revizionin e Paktit Global të Migracionit të sigurt, të rregullt dhe të ligjshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili mbahet nga 5 deri më 8 maj.
Në fjalimin e tij, Iseni theksoi se bashkëpunimi me IOM tashmë po jep rezultate konkrete përmes realizimit të projekteve të rëndësishme kombëtare dhe rajonale të orientuara në modernizimin e sistemeve për regjistrimin dhe identifikimin e emigrantëve, forcimit të menaxhimit kufitar, luftës kundër krimit të organizuar dhe avancimit të mekanizmave për mbrojtjen e kategorive të rrezikuara të emigrantëve.
“Bashkëpunimi me IOM-in paraqet një nga shtyllat kyçe në strategjinë tonë për menaxhimin e migracionit. Së bashku punojmë në modernizimin e sistemeve, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe implementimin e zgjidhjeve të harmonizuara me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim që Maqedonia e Veriut të mbetet partner përgjegjës dhe i besueshëm në menaxhimin rajonal të migracionit”, theksoi zëvendësministri Iseni.
Ai theksoi se përmes projekteve IPA dhe iniciativave të përbashkëta rajonale sigurohet mbështetje e konsiderueshme për përmirësimin e sistemeve të azilit, kthimit vullnetar, regjistrimit dhe menaxhimit të flukseve të përziera të migrimit, si dhe për zhvillimin e mekanizmave bashkëkohorë për mbrojtjen e emigrantëve dhe refugjatëve.
Në fjalim u theksua edhe nevoja për koordinim edhe më të madh ndërmjet shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve, me qëllim të shfrytëzimit më efikas të resurseve, shmangien e mbivendosjeve dhe sigurimin e mbështetjes në kohë dhe të qëndrueshme për institucionet.
Iseni potencoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejshëm të menaxhimit të migracionit përmes zhvillimit të zgjidhjeve të reja teknologjike, përmirësimit të interoperabilitetit të të dhënave, forcimit të sigurisë kufitare dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.
Forumi Global për revizionin e Paktit Global të Migracionit paraqet platformën kryesore globale ndërqeveritare të Kombeve të Bashkuara për shkëmbimin e përvojave, politikave dhe progresit në implementimin e parimeve për migracionin e sigurt, të rregullt dhe të ligjshëm, në përputhje me Qëllimet për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030.