Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, mori pjesë në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë (European Police Chiefs Convention – EPCC 2026), e cila u mbajt në selinë e Europol-it në Hagë, Mbretëria e Holandës.
Konventa, e organizuar nga Europol-i dhe presidenca aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian – Irlanda, mblodhi drejtuesit e shërbimeve policore nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e reagimit të përbashkët ndaj sfidave bashkëkohore të sigurisë.
Në kuadër të Konventës, drejtori Janev zhvilloi takime dypalëshe me drejtuesit e Europol-it, si dhe me përfaqësues të shteteve dhe institucioneve partnere. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për thellimin e bashkëpunimit operacional policor, avancimin e shkëmbimit të informacioneve dhe përvojave, si dhe forcimin e aktiviteteve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe transnacional, krimit kibernetik dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.
Në takime u shqyrtuan edhe mundësitë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve policore përmes trajnimeve, projekteve të përbashkëta dhe përdorimit të teknologjive moderne dhe metodave inovative në punën policore. Me këtë rast, u prezantuan prioritetet e policisë së Maqedonisë për përballimin më efikas të grupeve të organizuara kriminale, avancimin e kapaciteteve organizative dhe operative, si dhe përshpejtimin e proceseve të modernizimit dhe digjitalizimit.
Në kuadër të EPCC 2026 u zhvilluan edhe diskutime në panel kushtuar sfidave aktuale të sigurisë, ndër të cilat përdorimi dhe keqpërdorimi i inteligjencës artificiale në zbatimin e ligjit, parandalimi i radikalizimit, si dhe dezinformimi dhe mediat sintetike dhe ndikimi i tyre në rendin publik.
Pjesëmarrja e delegacionit nga Maqedonia në këtë konventë të rëndësishme ndërkombëtare policore paraqet konfirmimin e rolit aktiv të Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunimin evropian për sigurinë dhe angazhimin e avancimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, shkëmbimit të informacioneve dhe përballimit të përbashkët të kërcënimeve bashkëkohore të sigurisë