Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Francës, Sh.T. Kristof Le Rigoler, i shoqëruar nga atasheu policor Mihael Zhano.
Në takim u theksua bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet dy vendeve në fushën e punëve të brendshme, i cili zgjat prej më shumë se dy dekadash, si dhe angazhimi i përbashkët që ai të vazhdojë përmes aktiviteteve konkrete, trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave.
Ambasadori Le Rigoler informoi për trajnimin e ri që po fillon në Aeroportin Ndërkombëtar “Shkupi”, i cili realizohet nga ekspertë francezë të Xhandarmërisë së Transportit Ajror të Republikës së Francës. Trajnimi synon shkëmbimin e ekspertizës dhe njohurive praktike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së aeroporteve, si dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të punonjësve të policisë dhe personave përgjegjës për sigurimin.
“Bashkëpunimi me Republikën e Francës ka një vazhdimësi shumëvjeçare dhe për ne është veçanërisht e rëndësishme që ai të konkretizohet përmes aktiviteteve dhe trajnimeve. Shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me ekspertët francezë kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operative të policisë së Maqedonisë”, theksoi ministri Toshkovski.
Në takim u paralajmëruan edhe dy trajnime të tjera deri në fund të vitit – për parandalimin e pastrimit të parave, si dhe për aktivitetet e inteligjencës dhe punën në institucionet korrektuese.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me Qendrën e Trajnimit të MPB-së, përmes krijimit dhe realizimit të trajnimeve në përputhje me nevojat e punonjësve të ardhshëm të policisë.
Të dyja palët shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë që ai të thellohet më tej në fushat me interes të përbashkët.