Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski në takim me përfaqësuesin rajonal të UNODC-së, Danilo Rici: Thellojmë bashkëpunimin në luftën kundër tregtisë së palejuar të drogës

Toshkovski në takim me përfaqësuesin rajonal të UNODC-së, Danilo Rici: Thellojmë bashkëpunimin në luftën kundër tregtisë së palejuar të drogës
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot zhvilloi një takim pune me Danilo Rici, përfaqësues rajonal i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) për Evropën Juglindore. Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër tregtisë së palejuar të drogës dhe substancave psikotrope, si dhe për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë fushë.
Gjatë takimit vijuan bisedimet për avancimin e qasjes ndaj trajtimit të problemit të drogës, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të përvojave ndërkombëtare dhe praktikave të mira, mbështetjes së ekspertëve të UNODC-së, si dhe të një qasjeje të koordinuar që ndërlidh veprimtarinë policore, parandalimin dhe bashkëpunimin institucional.
“Lufta kundër tregtisë së palejuar të drogës kërkon institucione të fuqishme, zyrtarë policorë dhe hetues të trajnuar mirë, si dhe kapacitete bashkëkohore hetimore. Prandaj, për ne është i rëndësishëm bashkëpunimi me UNODC-në dhe shkëmbimi i përvojave me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në fushën e hetimeve, rrjedhave financiare të lidhura me kriminalitetin dhe konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”, theksoi ministri Toshkovski.
Në këtë kontekst, në takim u përshëndet edhe mbështetja konkrete që UNODC, së bashku me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ofron për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat.
Gjatë katër ditëve të ardhshme, në Akademinë e Policisë do të zhvillohet një trajnim i specializuar për hetimet lidhur me drogën, me ligjërues me përvojë në fushat e hetimit dhe ndjekjes penale. Trajnimi i ndërlidh këto tema me hetimet financiare, konfiskimin e pasurisë dhe zbatimin e teknikave të posaçme hetimore, me qëllim avancimin e mëtejshëm të njohurive dhe kapaciteteve praktike të zyrtarëve policorë.
Toshkovski theksoi se përgjigjja efikase ndaj krimit të organizuar lidhur me drogën nuk përfundon me aksionin policor dhe sekuestrimin, por nënkupton që hetimet të përfshijnë edhe rrjedhat financiare dhe përfitimet pasurore të krijuara përmes kriminalitetit.
“Qëllimi nuk është vetëm ta zbulojmë drogën dhe autorët. Duhet t’i ndjekim paratë, të zbulojmë dhe konfiskojmë pasurinë e përfituar përmes kriminalitetit dhe të përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë që kemi në dispozicion. Vetëm kështu mund t’i godasim më seriozisht strukturat kriminale dhe interesin e tyre për kryerjen e këtyre veprave penale”, theksoi Toshkovski.
Në takim u shpreh gatishmëria që bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe UNODC-së të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme përmes mbështetjes eksperte, trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare në fushat me interes të përbashkët.
Nga ana e përfaqësuesit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Danilo Rici, u prezantuan aktivitetet e projekteve dhe u dha një pasqyrë e punës së organizatës. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme përbën një partner të rëndësishëm dhe kredibil në zbatimin e të gjitha projekteve të implementuara nga UNODC. Danilo Rici falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në zbatimin e iniciativave të përbashkëta.

Accessibility Menu