Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Pjesë nga ngjarjet ditore 21.10.2026

Pjesë nga ngjarjet ditore 21.10.2026

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së, drejtuar PTHP NKOK-së – Departament i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve, ka paraqitur kallëzim penal kundër K.S. mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale „Keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimit zyrtar“ dhe „Punë e pandërgjegjshme në detyrë“. I kallëzuari K.S., nëpunës policor në Stacionin Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor Tetovë, pranë SPB Tetovë, më 02.02.2025 i ka kryer veprat duke mos vepruar në përputhje me autorizimet dhe dispozitat ligjore. Përkatësisht, një nëpunës tjetër policor, me radar, kishte matur shpejtësinë e lëvizjes së dy automjeteve prej 154 km/h dhe 151 km/h, në vend ku shpejtësia e lejuar është 100 km/h, pas çka e kishte njoftuar të kallëzuarin që t’i ndalonte automjetet. Pasi i kishte ndaluar automjetet dhe i kishte identifikuar shoferët, njërit shofer i kishte lëshuar paralajmërim me shkrim për kundërvajtjen e kryer rrugore, ndërsa shoferit tjetër i kishte lëshuar urdhërpagesë kundërvajtëse me procesverbal për kundërvajtjen e kryer rrugore, me gjobë në vlerë prej 45 eurosh, në vend që në të dyja rastet drejtuesve të automjeteve t’u lëshonte urdhërpagesa kundërvajtëse me procesverbale për kundërvajtjen e kryer rrugore, me gjobë në vlerë prej 300 eurosh në kundërvlerë në denarë, në përputhje me dispozitën e Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor. Duke mos e kryer detyrën e tij zyrtare, K.S. u ka mundësuar kryerësve të kundërvajtjeve që të mos sanksionohen në mënyrë përkatëse dhe u ka mundësuar përfitim, përkatësisht pozitë më të favorshme juridike, duke iu shmangur sanksionimit.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 17:00, SPB Shkup është njoftuar se në unazën e qytetit të Shkupit, para kryqëzimit për Prishtinë, ka ndodhur një aksident rrugor ndërmjet një autobusi me targa të Kosovës, i drejtuar nga B.M. (68) nga Gostivari dhe një automjeti udhëtarësh „Mercedes“ me targa të Kosovës, i drejtuar nga M.I. (77) nga Kosova. Në aksident, lëndime të rënda trupore ka pësuar shoferi 77-vjeçar i automjetit të udhëtarëve, ndërsa lëndime trupore ka pësuar pasagjeri i autobusit, S.U.B. (31) nga Gostivari, të cilat janë konstatuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“ dhe në Kompleksin e Klinikave „Nëna Terezë“ në Shkup. Një ekip i SPB Shkup ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes.

 

Më 20.10.2026, në Shkup, në zonat e Qendrës dhe Sarajit, nëpunësit policorë të SPB Shkup i kanë privuar nga liria B.I. (40) dhe A.Sh. (29), të dy nga Shkupi, si dhe A.B. (20) dhe F.H. (18), të dy nga rrethina e Shkupit, pasi te ta janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe një thikë. Pas dokumentimit të plotë të rasteve, kundër tyre do të vijojnë parashtresa përkatëse.

 

Më 20.10.2026, në orën 17:30, SPB Shkup është njoftuar se në rr. „Justiniani i Parë“ në Shkup, një 13-vjeçar nga Shkupi, duke drejtuar biçikletën ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, me ç’rast ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Qendrën e Urgjencës pranë Kompleksit të Klinikave „Nëna Terezë“ në Shkup. Një ekip i SPB Shkup ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes.

 

SPB Veles ka paraqitur kallëzim penal kundër K.V. (57) nga Kavadari, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve“. Më 26.02.2026, gjatë kontrollit në ambientet e një personi juridik në rajonin e Demir Kapisë, i kallëzuari ka dorëzuar marihuanë, të cilën e mbante në mënyrë të kundërligjshme.

 

Më 20.10.2026, në orën 10:30, NJPB Prilep është njoftuar se në kryqëzimin e bul. „Goce Dellçev“ me rr. „Dëshmorët e Prilepit“ në Prilep, 35-vjeçari M.I. nga Prilepi, duke drejtuar moped me targa të Prilepit, ka goditur një fëmijë 10-vjeçar nga Manastiri. Në aksident, fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit në Prilep. Një ekip i NJPB Prilep ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër R.S. (69) nga fsh. Zhelinë, rrethina e Tetovës, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Rrezikimi me mjet të rrezikshëm gjatë rrahjes ose grindjes“. Më 29.08.2026, në fsh. Zhelinë, pas një grindjeje të mëparshme, i kallëzuari i ka bërë kërcënime M.D. me psitoletë.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 11:00, SPB Ohër është njoftuar se në rr. „Korpusi 15“ në Ohër, një automjet transportues „MAN“ me rimorkio, me targa të Ohrit, i drejtuar nga O.M. (62) nga Ohri ka goditur 78-vjeçaren M.A. nga Ohri. Në aksident, M.A. ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Special „Shën Erazmo“ në Ohër. Është kryer këqyrja nga ekipi për këqyrje i SPB Ohër.

 

Më 20.10.2026, SPB Manastir është njoftuar se në orën 10:10, nga një objekt në afërsi të stadiumit të qytetit „Petar Milloshevski“ në Manastir, pirotekniku i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit ka ngritur dy granata artilerie të kalibrit 75 mm nga Lufta e Parë Botërore. Ndërkaq, nga rr. „Metropolitanska“, në kompleksin e Kazermave, është marrë një kokërr blindshpuese e kalibrit 60 mm, gjithashtu nga Lufta e Parë Botërore.

 

Më 20.10.2026, në orën 16:40, NJPB Kërçovë është njoftuar se në rr. ,,Rruga Magjistrale’’, në rrethrrotullimin Mlin, ka ndodhur një aksident rrugor ndërmjet një automjeti udhëtarësh „Volkswagen Golf“ me targa të Kërçovës, i drejtuar nga S.D. (62) nga Kërçova dhe një biçiklete, e drejtuar nga B.T. (81) nga Kërçova. Në aksident, çiklisti ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Qendrën Mjekësore në Kërçovë. Një ekip i NJPB Kërçovë ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër A.A. (23) nga një rrethinë e Tetovës, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale „Lëndim trupor“ dhe „Rrezikimi i sigurisë“. Më 25.08.2026, në shtëpinë familjare, i kallëzuari e ka sulmuar fizikisht partneren e tij jashtëmartesore, me ç’rast i ka bërë kërcënime me pushkë.

 

Më 20.10.2026, në orën 10:40, SPB Tetovë është njoftuar se në rrugën rajonale fsh. Leshok–fsh. Shemshovë, në rrethinë të Tetovës, S.M. (44) nga fsh. Kopancë, rrethina e Tetovës, duke drejtuar katërçikletë me targa të Tetovës, ka humbur kontrollin dhe është përmbysur. Me këtë rast, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në spitalin e Tetovës. Një ekip i SPB Tetovë ka bërë këqyrje të vendit të ngjarjes, me ç’rast është konstatuar se ai e drejtonte automjetin pa patentë shoferi. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresë përkatëse.


Reparti për Kriminalitet Kompjuterik pranë SPB Ohër ka paraqitur kallëzim penal kundër A.D. (42) nga Ohri, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë së fëmijëve“, sipas nenit 193-a të Kodit Penal. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, të realizuar më 20.10.2026 me urdhër gjykate, nëpunës policorë të SPB Ohër, në koordinim me nëpunës policorë të Repartit për Kriminalitet Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, kanë gjetur dhe sekuestruar një kompjuter desktop dhe video me përmbajtje eksplicite të pornografisë së fëmijëve, pas çka menjëherë e kanë privuar nga liria. Ndërsa, gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër A.A. (57) nga fsh. Reçicë e Madhe, në rrethinën e Tetovës, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve“. Më 16.10.2026, në fsh. Reçicë e Madhe, nëpunësit policorë kanë realizuar kontroll në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të të kallëzuarit, me ç’rast janë gjetur kokainë dhe një pistoletë „Ekol“, e kalibrit 9 mm.

 

Më 20.10.2026, në orën 18:00, në Veles, nëpunësit policorë të SPB Veles e kanë privuar nga liria Z.I. (64) nga Velesi, duke vepruar pas denoncimit paraprak se me një send të mprehtë e kishte kërcënuar vëllain e tij 63-vjeçar. Sendi është gjetur dhe sekuestruar, është njoftuar prokurori publik dhe pas dokumentimit të ngjarjes do të paraqitet kallëzim përkatës.

 

Më 21.10.2026, në orën 08:40, në Gostivar, nëpunësit policorë të NJPB Gostivar e kanë privuar nga liria V.M. (44) nga Gostivari, duke vepruar pas denoncimit paraprak të partneres së tij 45-vjeçare nga një rrethinë e Shkupit, se i kishte bërë kërcënime. Sipas denoncimit, ai edhe më parë ishte sjellë në mënyrë agresive dhe i kishte bërë kërcënime. Po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër G.B. (29) nga Tetova, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Lëndim trupor“. Më 15.07.2026, në shtëpinë familjare në Tetovë, e kallëzuara e ka sulmuar fizikisht fëmijën e saj shtatëvjeçar.

 

Më 20.10.2026, në orën 15:30, pranë Stacionit Hekurudhor në Shkup, nëpunësit policorë të SPB Shkup e kanë privuar nga liria E.S. (27) nga Ohri, duke vepruar pas denoncimit paraprak se ai e kishte sulmuar fizikisht partneren e tij të mëparshme 28-vjeçare dhe i kishte bërë kërcënime, ndërsa më vonë e kishte sulmuar fizikisht edhe nëpunësin policor që kishte ndërhyrë pas denoncimit. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresë përkatëse.

 

Më 20.10.2026, në orën 12:30, në SPB Shkup, Sh.M. (73) nga Shkupi ka denoncuar se rreth orës 07:30, në rajonin e Kisella Vodës, ishte sulmuar fizikisht nga një person, me ç’rast kishte pësuar lëndime. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 14:00, SPB Shkup është njoftuar se në fsh. Kondovë, në rrethinë të Shkupit, M.B. (38) nga fsh. Studeniçan, rrethina e Shkupit, derisa kryente punime ndërtimore në një shtëpi në ndërtim kishte pësuar goditje elektrike, pas çka kishte rënë përtokë dhe kishte ndërruar jetë. Vdekja është konstatuar nga mjeku i Ndihmës së Shpejtë. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërsa, me udhëzim të prokurorit publik, trupi është dorëzuar në Mjekësinë Ligjore për autopsi.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 23:45, SPB Shkup është njoftuar se në zonën e Butelit, A.J. (30) nga Shkupi ishte sulmuar me një send të fortë, me ç’rast kishte pësuar lëndime dhe ishte dërguar në Institucionin e Shëndetit Publik „Shën Naum i Ohrit“ për ofrimin e ndihmës mjekësore. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

 

NJPB Strugë ka paraqitur kallëzim penal kundër E.A. (46) nga fsh. Podgorcë, rrethina e Strugës, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale „Vjedhje“ dhe „Shkatërrimi i pyjeve“. Gjatë një kontrolli dhe aksioni të koordinuar të NJPB Strugë dhe Policisë Pyjore, të realizuar më 16.10.2026 në brezin malor mbi fshatin e njëjtë, ai është kapur në flagrancë në një pyll në pronësi shtetërore, duke kryer me sharrë motorike prerje të paligjshme të druve të ahut të pamarkuar. Pas ndërmarrjes së masave të mëtejme, është konstatuar se ai kishte prerë gjithsej 175 metra kub dru ahu për ngrohje, me ç’rast Ndërmarrjes Publike „Pyjet Kombëtare“ i kishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 5.250.000 denarësh.

 

Më 20.10.2026, në orën 18:40, në SPB Shkup, L.T. (19) nga Shkupi ka denoncuar se më 18.10.2026, rreth orës 16:50, në afërsi të Parkut të Qytetit në Shkup, ishte sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

 

Më 20.10.2026, në orën 20:25, në SPB Shkup, një grua 32-vjeçare ka denoncuar se në shtëpinë e saj, në rajonin e Bit Pazarit, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj jashtëmartesor A.F. dhe kunata e saj. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër E.R. (26) nga Tetova, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Lëndim trupor“. Më 25.07.2026, në shtëpinë familjare në Tetovë, pas një grindjeje të mëparshme, i kallëzuari e ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

 

Më 19.10.2026, në orën 18:00, në SPB Shkup, T.A. (26) nga Shkupi ka denoncuar se në zonën e Bit Pazarit ishte sulmuar fizikisht nga M.H. (41) nga Shkupi. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresë përkatëse.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 17:40, në SPB Shkup, A.K. (57) nga Shkupi ka deoncuar se rreth orës 06:20, në një vendndalim autobusësh në zonën e Autokomandës, ishte sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

 

SPB Tetovë ka paraqitur kallëzim penal kundër E.J. (39) nga Tetova, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale „Dhunë ndaj fëmijës“. Më 06.07.2026, në Tetovë, i kallëzuari ka sulmuar fizikisht një të mitur.

 

Më 20.10.2026, në orën 08:50, SPB Shkup është njoftuar se në rajonin e Kisella Vodës, pas një grindjeje të mëparshme, është prishur rendi dhe qetësia publike me përleshje fizike ndërmjet M.S. (35) dhe V.S. (57). Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë parashtresë përkatëse.

 

Më 20.10.2026, rreth orës 15:20, në SPB Shkup, N.T. (54) nga Shkupi ka denoncuar se rreth orës 06:40, në një vendndalim autobusësh në zonën e Autokomandës, ishte sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

Accessibility Menu