Sektori për Parandalim pranë SPB Tetovë, sot (05.06.2026), në rajonin e Gostivarit filloi zbatimin praktik të projektit edukativo-parandalues „Hap pas hapi“, i cili përfshin fëmijët e moshës parashkollore nga 14 kopshte të Tetovës dhe pesë të Gostivarit. Në kuadër të këtij projekti, nëpunës policorë të trajnuar profesionalisht nga Njësitë Policore për Siguri në Komunikacionin Rrugor në Tetovë dhe Gostivar u shpjegojnë fëmijëve, në mënyrë të përshtatur me moshën e tyre, se si duhet të sillen dhe të lëvizin në trafik.
Ndërkohë, nëpunës policorë nga Njësia Policore për Siguri në Komunikacionin Rrugor në Manastir, në ambientet e SPB Manastir, mbajtën një ligjëratë për nxënësit e qytetit, ku u fol për pasojat e mosrespektimit të rregullave dhe dispozitave të trafikut.
Dje (04.06.2026), nëpunës policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles, në disa lokacione në Veles, realizuan aktivitete parandaluese duke i informuar drejtuesit e automjeteve për rreziqet dhe pasojat e drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit. U theksua se alkooli ul ndjeshëm aftësitë e drejtimit, dëmton aftësitë psikomotorike të shoferëve dhe paraqet kërcënim serioz për sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik. Gjithashtu, u apelua për kujdes maksimal me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë në komunikacion.
Nëpunësit policorë nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup realizuan sot aktivitete parandaluese të drejtuara ndaj drejtuesve të motoçikletave, trotinetëve elektrikë dhe biçikletave. Qëllimi ishte rritja e kulturës së komunikacionit përmes rikujtimit të rregullave dhe detyrimeve për pjesëmarrje të kujdesshme dhe të përgjegjshme në trafik, duke theksuar detyrimin për mbajtjen e helmetës mbrojtëse.
Në temën e sigurisë në trafik u mbajt edhe një ligjëratë në Shkollën Qendrore Fillore „Draga Stojanovska“ në fshatin Rakotincë të Shkupit, si dhe gjatë vizitës së nxënësve nga Shkolla Fillore „Hristijan Todorovski – Karposh“ në Stacionin Policor Karposh.
Edhe nëpunësit policorë të SPB Shtip realizuan aktivitete parandaluese për një trafik më të sigurt në Shtip, Koçan, fshatin Çeshinovë dhe fshatin Obleshevë.
Në Dellçevë dhe Pehçevë, aktivitetet parandaluese u fokusuan në parandalimin e zjarreve dhe prerjes së paligjshme të pyjeve. Gjatë bisedave me qytetarët, policët theksuan nevojën për përgjegjësi dhe kujdes maksimal ndaj fondit pyjor. Gjithashtu, qytetarët u informuan se prerja e paligjshme e druve dhe shkaktimi i zjarreve janë vepra penale që sanksionohen sipas ligjit. Atyre iu shpërnda edhe material i shtypur edukativ, i përgatitur në bashkëpunim me NP „Pyjet Kombëtare“.