Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion, mashtrimet telefonike, dhunën mes bashkëmoshatarëve, bullizmin kibernetik, situatat e krizës dhe dhunën në familje

Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion, mashtrimet telefonike, dhunën mes bashkëmoshatarëve, bullizmin kibernetik, situatat e krizës dhe dhunën në familje
Më 26.11.2026, në disa lokacione në zonën qendrore të qytetit të Dellçevës, zyrtarë policorë nga Njësia Policore për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor – Dellçevë, realizuan një fushatë edukative me moton „Bëhu i përgatitur për udhëtim të sigurt gjatë dimrit“. Fushata u realizua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët (drejtuesit e automjeteve), të cilëve iu shpërndanë fletushka me përmbajtje edukative. Njëkohësisht, atyre iu theksua rëndësia e posedimit dhe mbajtjes së pajisjeve të detyrueshme dimërore në automjete, të cilat janë të obligueshme nga data 15 nëntor, me qëllim të rritjes së sigurisë së përgjithshme në komunikacion.
Më 26.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Sveti Nikollës, së bashku me përfaqësues të Kryqit të Kuq, në Klubin e Pensionistëve në Sveti Nikollë, zhvilluan një takim me qytetarë të moshuar – pensionistë, me temë parandalimin e mashtrimeve telefonike lidhur me aksidentet e trafikut.
Më 26.11.2026, në zonën qendrore të qytetit të Vinicës, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor – Vinicë, realizuan një fushatë edukative me moton „Mos e përdor telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit“. Qëllimi i fushatës ishte ngritja e vetëdijes publike të qytetarëve për një komunikacion më të sigurt.
Më 26.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Koçanit mbajtën një ligjëratë edukative në SHF „Nikolla Karev“ në Koçan, për nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata, me temën „Dhuna mes bashkëmoshatarëve – bullizmi dhe bullizmi kibernetik“, me qëllim të rritjes së sigurisë në shkolla.
Më 26.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor – Koçan, në SHF „Nikolla Karev“ në Koçan, mbajtën një ligjëratë edukative për nxënësit e klasës së parë të së njëjtës shkollë. Qëllimi ishte njohja e tyre me rregullat dhe dispozitat themelore të komunikacionit, rëndësinë e shenjave të caktuara të trafikut, si dhe mënyrën e duhur të sjelljes si pjesëmarrës në komunikacion.
Më 26.11.2026, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Berovës, në zonën qendrore të qytetit të Berovës, realizuan një aktivitet parandalues me motot „Mos u bëj dëshmitar i heshtur“ dhe „Ka ndihmë për një jetë pa dhunë“. Qëllimi kryesor ishte rritja e besimit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe qytetarëve.
Sot (26.11.2026), në periudhën nga ora 12:00 deri në orën 14:00, në ambientet e Shkollës Fillore Komunale „ Edinstvo – Bashkimi Birlik“ në Gostivar, Sektori për Parandalim pranë SPB Tetovë, në bashkëpunim me inspektorët për delikuencën e të miturve nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike – Gostivar dhe përfaqësuesit e Stacionit Policor me Kompetencë të Përgjithshme – Gostivar, realizuan një takim pune me drejtorin, përfaqësuesit e shërbimit pedagogjik dhe anëtarët e Këshillit të Prindërve të shkollës.
Gjatë takimit u shqyrtua gjendja e sigurisë në shkollë, ku theks i veçantë iu kushtua parandalimit të dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe bullizmit, keqpërdorimit të të dhënave personale, si dhe përdorimit të papërshtatshëm të telefonave celularë gjatë mësimit. Gjithashtu, u diskutua edhe për shfaqjen e sfidave dhe lojërave të reja të rrezikshme në internet, ndër të cilat edhe e ashtuquajtura „764“, për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme gjatë periudhës së kaluar publikoi një paralajmërim përkatës.
Të pranishmit u udhëzuan për nevojën e rritjes së kujdesit, identifikimit dhe raportimit në kohë të të gjitha dukurive me rrezik, si dhe për forcimin e mëtejshëm të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shkollës, prindërve dhe policisë, me qëllim të avancimit të sigurisë dhe mbrojtjes së nxënësve.
Sot (26.11.2026), në shkollën fillore rajonale „Goce Dellçev“, në fshatin Disan i Poshtëm, rajoni i Negotinës, u realizua një ushtrim demonstrues për evakuim të shpejtë dhe sjellje në situata krize, përkatësisht një simulim i zjarrit. Në kuadër të ushtrimit, zyrtarë policorë nga Njësia e Punëve të Brendshme – Negotinë, në bashkëpunim me ekipet e Njësisë Territoriale Zjarrfikëse, Organizatës Komunale të Kryqit të Kuq dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, prezantuan masat për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe mënyrën e veprimit të shërbimeve në terren në rast të shpërthimit të një zjarri eventual.
Qëllimi ishte që nxënësit të njihen me mënyrat dhe protokollet e sjelljes në situata krize, përkatësisht me procedurat e evakuimit dhe ndërhyrjes së shpejtë në rast zjarri.
Zyrtarë policorë nga Njësia e Punëve të Brendshme – Kavadar, për nxënësit e shkollës së mesme „Kiro Spaxhov Brko“ në Kavadar, realizuan një ligjëratë edukative për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve dhe dhunës kibernetike. Me këtë rast, nxënësit u njohën me mënyrat dhe metodat e parandalimit në kohë dhe trajtimit të formave të sjelljes së dhunshme, format e shfaqjes së këtyre dukurive devijuese tek të rinjtë, si dhe pasojat që mund të shkaktohen.
Ndërkaq, zyrtarë policorë nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles, për nxënësit e klasave të para dhe të dyta të shkollës fillore „Vasil Gllavinov“ në Veles, mbajtën një ligjëratë edukative me temën „Rregullat për këmbësorët e vegjël“. Në kuadër të ligjëratës, fëmijët u njohën me rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, ndërsa përmes prezantimeve dhe ndërveprimit me ta, iu shpjegua se si mund ta rrisin nivelin e sigurisë në komunikacion.
Në territorin e komunave Çashkë dhe Negotinë, zyrtarë policorë nga Njësia Policore Çashkë dhe Njësia e Punëve të Brendshme – Negotinë, sot realizuan aktivitete parandaluese për mbrojtjen dhe parandalimin e dukurive që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, qytetarët u informuan për të drejtat e tyre dhe masat mbrojtëse në rastet e ekzistimit të formave të dhunës në familje. Gjithashtu, u ndanë informacione për procedurat dhe mënyrat e veprimit në rastet e paraqitjes së këtij lloji të dhunës, me theks të veçantë në rëndësinë e raportimit në kohë të të gjitha formave të dhunës.
Dje, zyrtarë policorë nga Seksioni për Parandalim dhe Stacioni Policor për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë SPB Veles, realizuan një aktivitet parandalues në komunikacion me temën „Përdor pajisjet dimërore“, me qëllim që drejtuesve të automjeteve t'u rikujtohet se është në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve të detyrueshme dimërore në automjete.
Aktiviteti kishte për qëllim gjithashtu ngritjen e vetëdijes për detyrimin dhe nevojën e përdorimit të pajisjeve dimërore, si një parakusht i rëndësishëm për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.

Accessibility Menu