Më 17.08.2026 dhe 18.08.2026, në rajonet e SPB Veles, SPB Shtip, SPB Ohër dhe SPB Shkup, u realizuan aktivitete parandaluese për siguri në komunikacion dhe për parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarret në ambiente të hapura.
Më 17.08.2026, në pikat e pagesës rrugore „Otovicë“, „Sopot“ dhe „Gradsko“, zyrtarët policorë nga Seksioni për parandalim pranë SPB Veles realizuan aktivitet në kuadër të fushatës „Sigurt gjatë verës – drejto i pushuar, drejto me përgjegjësi“. Drejtuesve të automjeteve iu vu në dukje rëndësia e drejtimit të automjetit në gjendje të pushuar, marrjes së pushimeve më të shpeshta gjatë udhëtimit dhe respektimit të rekomandimeve për drejtim të sigurt.
Ndërkaq, sot, në territorin e Velesit, u zhvillua aktiviteti parandalues me temë „Mos harroni, të gjithë jemi këmbësorë“, ku theksi kryesor u vendos te këmbësorët, përkatësisht te detyrimi i tyre për t'i respektuar rregullat dhe dispozitat e komunikacionit.
Më 18.08.2026, në Berovë, Koçan dhe Dellçevë, gjithashtu u realizuan aktivitete për siguri në komunikacion, ku qytetarëve iu tha se trotinetin mund ta drejtojë personi që ka mbushur moshën 18 vjeç, se mbajtja e helmetës është e detyrueshme gjatë drejtimit të motoçikletës dhe se përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit është i ndaluar. Gjatë aktiviteteve u shpërnda material edukativ me përmbajtje të dobishme për temat e sipërpërmendura.
Aktivitete parandaluese për mbrojtjen nga zjarret në ambiente të hapura u zhvilluan në Gradsko, në disa fshatra në territorin e SPB Ohër, si dhe në territorin e Stacionit Policor Karposh. Me këtë rast, qytetarëve iu dha këshilla që të jenë të kujdesshëm, me qëllim shmangien e rrezikut të shkaktimit të zjarreve në hapësira të hapura gjatë periudhës së verës dhe që, nëse vërejnë zjarr, ta raportojnë në numrin telefonik 112.
Gjithashtu, u theksua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet kompetente dhe detyrimi për raportimin e sjelljeve të pakujdesshme, siç janë:hedhja dhe djegia e mbeturinave, ndezja e zjarreve në ambiente të hapura dhe pranë zonave pyjore, hedhja e bishtave të cigareve e të ngjashme, me qëllim mundësimin e reagimit të shpejtë dhe në kohë të institucioneve.
Qytetarët u informuan edhe për dispozitat ligjore dhe sanksionet, veçanërisht për rregullativën ligjore që e përfshin veprën penale „Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“, të përcaktuar në Kodin Penal të RMV-së, sipas nenit 288, për të cilën parashihet dënim me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Edhe gjatë këtyre aktiviteteve, qytetarëve iu shpërnda material edukativ.
Në territorin e Çashkës u zhvillua aktiviteti parandalues me temë „Mos u bëj dëshmitar i heshtur“, që synon veprimin parandalues për parandalimin e shfaqjes së çdo lloj dhune me bazë gjinore.