Sot (05.08.2026), nga Seksioni për Parandalim pranë SPB Veles, në disa lokacione në Veles, u realizua aktiviteti edukativ-parandalues „Kalimi i sigurt i këmbësorëve në rrugë – bëhuni të përgjegjshëm në komunikacion“. Gjatë aktivitetit, këmbësorëve iu theksua se, si pjesëmarrës aktivë në komunikacion, kanë detyrim të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit. U rikujtua se rrugën duhet ta kalojnë vetëm në vendkalimet e shënuara për këmbësorë, të mos përdorin kufje dhe telefona celularë gjatë kalimit, si dhe të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në orët e mbrëmjes kur lëvizin në vende të pa ndriçuara.
Seksioni për Parandalim pranë SPB Kumanovë, në pikëpagesën Ramanli në autostradën “Miqësia”, zhvilloi një aktivitet parandalues që i drejtohej shoferëve të cilët kalojnë tranzit nëpër vendin tonë. Atyre iu rekomandua të bëjnë pushime më të shpeshta gjatë udhëtimit, pasi lodhja është një nga shkaqet më të zakonshme të aksidenteve rrugore gjatë periudhës së verës, si dhe të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit.
Aktivitete parandaluese për sigurinë në komunikacion u realizuan edhe nga Njësia për Parandalim pranë SPB Shkup dhe SPB Shtip, në Shkup, Berovë, Shtip dhe Koçan. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u shpërndanë materiale edukative me rekomandime për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion, të përgatitura në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Fakultetin e Sigurisë në Shkup.
Ndërkohë, nëpunësit policorë të NJPB Probishtip zhvilluan aktivitete parandaluese për parandalimin e zjarreve dhe prerjes së paligjshme të pyjeve. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, ata theksuan nevojën për sjellje të përgjegjshme në natyrë, me theks të veçantë në shmangien e ndezjes së zjarrit, moshedhjen e bishtave të cigareve dhe njoftimin e menjëhershëm në numrin 112 nëse vërehet zjarr.
Fermerëve u është theksuar nevoja për kryerje me kujdes të punëve bujqësore, me theks të veçantë në rrezikun e shkaktimit të zjarreve nga djegia e kufijve, hamulloreve, barit të thatë dhe mbeturinave në ara.
Gjithashtu, qytetarët u informuan se shkaktimi i zjarreve, si edhe prerja e paligjshme e pyjeve, janë vepra penale që sanksionohen sipas ligjit. Atyre iu shpërndanë edhe materiale edukative të përgatitura në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Pyjet Kombëtare”, duke u rikujtuar se ndalimi i lëvizjes në pyje mbetet në fuqi deri më 31.08.2026.