Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Doli numri i njëmbëdhjetë i revistës shkencore ndërkombëtare „Siguria“

Doli numri i njëmbëdhjetë i revistës shkencore ndërkombëtare „Siguria“
Të nderuar pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme,
Të nderuar anëtarë të komunitetit akademik dhe shkencor,
Të nderuar lexues,
 
Siguria e qytetarëve është treguesi i mirëfilltë i suksesit të çdo politike të sigurisë. Pas çdo vendimi, strategjie apo teknologjie të re duhet të qëndrojë një qëllim i qartë – mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve, siguri më e madhe dhe institucione më efikase. Për realizimin e këtij qëllimi, krahas gatishmërisë operative dhe përvojës, janë të domosdoshme hulumtimet shkencore, analizat profesionale dhe gatishmëria që t'i avancojmë vazhdimisht mënyrat e punës.
 
Pikërisht në ndërlidhjen e shkencës me praktikën policore e shoh vlerën e revistës shkencore ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme „Siguria“. Roli i saj është të nxisë shkëmbimin e njohurive dhe ideve ndërmjet profesionistëve policorë, hulumtuesve dhe komunitetit akademik, por edhe të kontribuojë në krijimin e zgjidhjeve që do të gjejnë zbatim praktik dhe do të sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
 
Jetojmë në një kohë kur krimi i organizuar, korrupsioni, kërcënimet kibernetike dhe keqpërdorimi i teknologjive bashkëkohore marrin forma gjithnjë e më komplekse. Prandaj, institucionet duhet të jenë të përgatitura jo vetëm për të reaguar, por edhe për t'i identifikuar dhe parandaluar me kohë rreziqet. Modernizimin e policisë së Maqedonisë e kuptoj si një proces në të cilin përparimi teknologjik ecën paralelisht me përsosjen profesionale dhe marrjen e vendimeve të bazuara në të dhëna të verifikuara.
 
Zhvillimi i sistemit „Qyteti i Sigurt“, qasjet bashkëkohore në parandalimin e kriminalitetit dhe avancimin e sigurisë në komunikacion, si dhe forcimi i kapaciteteve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, hapin mundësi të reja për punë më efikase policore. Por, suksesi i tyre nuk matet vetëm përmes aktiviteteve të ndërmarra, por përmes rezultateve – më pak viktima në rrugë, vepra penale të parandaluara, intervenime në kohë dhe besim më të madh në institucione.
 
Hulumtimet shkencore na ndihmojnë t'i kuptojmë më mirë dukuritë e sigurisë, t'i vlerësojmë në mënyrë objektive efektet e masave të ndërmarra dhe të përcaktojmë se ku nevojiten ndryshime. Shkenca duhet të jetë edhe bazë për hartimin e politikave, edhe mekanizëm korrigjues i funksionimit institucional, duke mundësuar zgjidhje që u përgjigjen nevojave reale të shoqërisë.
 
Rëndësi të veçantë ka investimi në arsimin policor. Avancimi i kushteve të trajnimit në Akademinë Policore në Idrizovë, metodat bashkëkohore arsimore dhe bashkëpunimi me universitetet dhe partnerët ndërkombëtarë synojnë krijimin e profesionistëve të përgatitur për sfidat e reja. Qytetarët nuk e vlerësojnë policinë sipas numrit të strategjive të miratuara, por sipas profesionalizmit, drejtësisë dhe efikasitetit me të cilin ajo vepron.
 
I inkurajoj të punësuarit në Ministri, profesorët universitarë dhe hulumtuesit që të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e revistës „Siguria“. Na nevojiten punime të cilat shtrojnë çështje thelbësore, ofrojnë përfundime të argumentuara dhe krijojnë bazë për praktika më të mira policore. Me pozicionimin e saj të mëtejshëm ndërkombëtar do të hapen mundësi të reja për shkëmbim shkencor dhe afirmimin e mendimit shkencor dhe profesional vendor.
 
Fuqia e policisë bashkëkohore nuk matet vetëm përmes autorizimeve dhe pajisjeve të saj, por edhe përmes aftësisë për të mësuar, për t'u ndryshuar dhe për ta arsyetuar besimin e opinionit publik. Njohuritë shkencore e marrin vlerën e tyre të vërtetë kur shndërrohen në parandalim më të mirë, mbrojtje më efikase dhe siguri më të madhe për njerëzit.
Në këtë numër të revistës do të keni mundësi të lexoni punime të jashtëzakonshme shkencore dhe profesionale, të cilat përfshijnë segmente të ndryshme të punës policore dhe praktikave të sigurisë.
Ju inkurajoj që, përmes propozimeve, ideve dhe përvojave tuaja të ndara, të bëheni promovues të mendimit shkencor, i cili do t'i mbështesë përpjekjet për avancimin e policisë.
Uroj që edhe ky botim i njëmbëdhjetë i revistës shkencore ndërkombëtare „Siguria“ të jetë nxitje për hulumtime të reja dhe zgjidhje konkrete, me një qëllim të përbashkët – një polici profesionale dhe të përgjegjshme, institucione më të forta dhe një shoqëri më të sigurt për të gjithë qytetarët.
 
Me respekt,
Ministër i Punëve të Brendshme
Mr. Pançe Toshkovski

Accessibility Menu