Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Në kuadër të aksionit ndërkombëtar „TRIGGER X“ janë sekuestruar 27 armë, 604 copë municion dhe 10 mjete mino-eksplozive

Në kuadër të aksionit ndërkombëtar „TRIGGER X“ janë sekuestruar 27 armë, 604 copë municion dhe 10 mjete mino-eksplozive
 
Në periudhën nga 22 qershori deri më 5 korrik 2026, në organizim të INTERPOL-it, u zhvillua aksioni operativ ndërkombëtar „TRIGGER X“, në të cilin mori pjesë edhe Maqedonia. Bartës i aktiviteteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte Departamenti i Policisë Kriminalistike, përkatësisht Sektori për Tregti të Palejuar me Drogë, Armë dhe Materie të Rrezikshme – Njësia për Tregti të Palejuar me Armë, Materie të Rrezikshme dhe Material Radioaktiv, ndërsa koordinimi dhe komunikimi me vendet pjesëmarrëse u zhvilluan përmes Byrosë Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it – Shkup, Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.
Në aksion u përfshinë disa njësi organizative të Byrosë për Siguri Publike, si dhe Drejtoria e Doganave, me qëllim luftimin e kriminalitetit ndërkufitar, zbulimin dhe parandalimin e tregtisë së paligjshme me armë zjarri dhe municion, si dhe kryerjen e kontrolleve të shtuara në subjektet juridike që ushtrojnë veprimtari të tregtimit me armë, municion dhe mjete piroteknike, në klubet e qitjes, poligonet civile të qitjes dhe shoqatat e gjuetisë.
Në kuadër të aktiviteteve operative u kryen kontrolle dhe verifikime ndaj 548 personave të përzgjedhur dhe 382 automjeteve, përfshirë automjete të udhëtarëve dhe automjete transportuese, si dhe rimorkio. Gjithashtu, Departamenti për Analiza Kriminalistike dhe Inteligjente pranë BSP-së dhe Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor kryen verifikime në bazat e brendshme të të dhënave për më shumë se 500 persona dhe 300 automjete.
Në fazën paraoperacionale, gjatë dy bastisjeve, u gjetën dhe u sekuestruan tre pistoleta, 115 fishekë, një kornizë arme, shtatë fishekë gjuetie, tri granata dore dhe një kuti me barut. Gjatë shqyrtimit pas denoncimit, u gjetën dhe u sekuestruan gjithashtu një pistoletë, një karikator arme, një mjet i improvizuar në formë tubi për shkrepjen e fishekëve dhe 77 fishekë.
Në fazën operative u kryen gjithsej 35 bastisje, ku u gjetën dhe u sekuestruan 27 armë dhe 604 copë municion, për të cilat po ndërmerren masa për fillimin e procedurave penale, si dhe 10 mjete mino-eksplozive. Për fillimin e procedurës administrative u sekuestruan edhe tri pushkë gjuetie, një pushkë pneumatike dhe 128 fishekë gjuetie.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara në pikat kufitare, dy persona u privuan nga liria. Në Pikën Kufitare „Tabanoc“, gjatë kontrollit të një automjeti të drejtuar nga një shtetas austriak, u zbulua një materie e panjohur, pas çka personi u privua nga liria për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 215 të Kodit Penal. Në Pikën Kufitare „Mexhitli“, me kërkesë të SPB Veles, u gjet një person i evidentuar në listën e personave të kërkuar, i cili u privua nga liria dhe iu dorëzua organeve kompetente për procedim të mëtejshëm.
Në rajonet e SPB Shkup dhe SPB Manastir u kryen gjithashtu katër kontrolle të jashtëzakonshme në klube të qitjes dhe dy kontrolle të jashtëzakonshme në poligone civile të qitjes. Gjatë një kontrolli në një klub të qitjes, në NJPB Prilep u sekuestruan një pushkë gjuetie dhe një revolver.
Pjesëmarrja në aksione të tilla operative ndërkombëtare paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, shkëmbimin e informacioneve dhe veprimin e koordinuar në luftën kundër tregtisë së paligjshme me armë dhe kriminalitetit ndërkufitar. Nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta dhe të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të kontribuojë aktivisht në avancimin e sigurisë dhe parandalimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive.
 

Accessibility Menu