Ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Vllatko Mitkovski, sot (14.10.2026), në Kranjë, hapi Konferencën Vjetore të drejtuesve të akademive policore dhe qendrave të trajnimit, anëtare të Asociacionit Rajonal të Akademive Policore dhe Qendrave të Trajnimit nga Evropa Juglindore (RAPATC SEE).
Në prani të drejtorëve të akademive anëtare të Asociacionit, ndihmësministri Mitkovski theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe avancimit të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të nëpunësve policorë.
„Në një kohë kur sfidat e sigurisë bëhen gjithnjë e më komplekse dhe përgjegjësia e institucioneve policore është më e madhe se kurrë, bashkëpunimi rajonal përbën një faktor kyç në përcjelljen e njohurive dhe përvojave, si te gjeneratat e reja të nëpunësve policorë, ashtu edhe te ekspertët në fushat përkatëse. Krimi i organizuar, krimi kibernetik, kërcënimet ndërkufitare të sigurisë dhe zhvillimi i shpejtë teknologjik kërkojnë qasje të reja, njohuri bashkëkohore dhe profesionistë të trajnuar në nivel të lartë, të gatshëm për t'iu përgjigjur sfidave të shoqërisë moderne“, theksoi Mitkovski.
Në kuadër të konferencës, Akademia e Policisë, në cilësinë e kryesuesit aktual të Asociacionit, prezantoi aktivitetet e realizuara gjatë periudhës së kaluar, si dhe reformat në sistemin e edukimit policor në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Gjatë pjesës punuese, drejtuesit e akademive policore shkëmbyen përvoja dhe pikëpamje lidhur me sfidat bashkëkohore me të cilat përballen institucionet përgjegjëse për edukimin policor në rajonin e Evropës Juglindore, me theks të veçantë në avancimin e trajnimeve, zhvillimin profesional dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Konferenca vazhdon nesër (15.10.2026), kur është paraparë dorëzimi zyrtar i kryesimit të Asociacionit Akademisë së Sigurisë së Republikës së Shqipërisë.