Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ngriti kallëzim penal kundër A.S. (27), A.S. (27), A.S. (47), B.A. (54), I.B. (33), S.E. (48), V.R. (42), Shoqëri për Prodhim, Projektim Tregtar, Ndërtimtari dhe Shërbim nga Gostivari dhe Shoqërisë për Punë Gjeodezike, Projektim, Inxhinieri dhe Konsulencë nga Gostivari për shkak të bazave të dyshimit për kryerje të veprës penale "ndërtimi i paligjshëm", "falsifikimi i dokumenteve", "punë e pandërgjegjshme në detyrë" dhe "keqpërdorimi i detyrës dhe autorizimit zyrtar". I denoncuari i parë, i denoncuari i dytë dhe e denoncuara e tretë - nëna e tyre, në cilësinë e personave fizikë -investitorë, gjatë viteve 2021 dhe 2022, kryen aktivitete ndërtimore në parcelën e tyre kadastrale në Gostivar, në kundërshtim me lejet e ndërtimit të dhëna nga komuna e Gostivarit. I denoncuari i katërt B.A., drejtues i Shoqërisë për Punë Gjeodezike, ka përgatitur raportin gjeodezik i cili nuk përputhej me projektin themelor të ndërtimit dhe ka përgatitur dokument të rremë të cilin e ka përdorur si dokument të vërtetë të personit juridik për projektim, inxhinieri dhe konsulencë nga Gostivari. I denoncuari i pestë I.B., drejtues i Shoqërisë për Prodhim, Projektim, Tregti, Ndërtimtari dhe Shërbim, ka përgatitur Raportin Përfundimtar mbi realizimin e pranimit teknik të objektit, sipas të cilit është konstatuar në mënyrë të rreme se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe projektin themelor. I denoncuari i gjashtë S.E., ndonëse e dinte se inspektori i autorizuar i ndërtimit V.R. ka konstatuar me procesverbal se është duke u ndërtuar një mbindërtim jashtë lejes dhe nuk janë mënjanuar mangësitë në afatin e dhënë, ai e ka përcjellë dokumentacionin e ndërtimit më 03.10.2022 në mënyrë elektronike në Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive, ku e kanë regjistruar ndërtimin dhe kanë lëshuar fletë pronësi. I denoncuari i shtatë, V.R., në fillim ka përgaditur procesverbalin me konstatimin se objekti nuk ishte ndërtuar në përputhje me lejen dhe ka dhënë afat për të mënjanuar mangësitë, por më pas nuk ka kryer kontrollin inspektues pas vendimit, me çka i ka mundësuar investitorit që ta vinte në funksion objektin.