Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Toshkovski, Rokas dhe Grigorian vizituan “Markova Nogën”: Hapja e pikës kufitare do të sjellë mundësi të reja për zhvillim, lidhshmëri dhe bashkëpunim

Toshkovski, Rokas dhe Grigorian vizituan “Markova Nogën”: Hapja e pikës kufitare do të sjellë mundësi të reja për zhvillim, lidhshmëri dhe bashkëpunim
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas, dhe përfaqësuesin e përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Armen Grigorian, inspektuan aktivitetet për vendosjen e pikës kufitare “Markova Noga”, ku aktualisht po realizohet projekti “Stacioni Kufitar i Liqenit të Prespës: Vendosja e një pike kufitare ndërmjet Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në zonën e Liqenit të Prespës”.
Gjatë vizitës u konstatua përparimi i aktiviteteve për rindërtimin dhe pajisjen e stacionit kufitar policor, të cilat po realizohen në kuadër të Programit IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar “Greqi – Maqedoni e Veriut 2021–2027”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
Ministri Toshkovski theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme i vë plotësisht në dispozicion kapacitetet e saj institucionale për realizimin e suksesshëm të projektit, i cili përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhshmërisë rajonale dhe thellimit të bashkëpunimit ndërkufitar.
“Ky projekt, i cili po realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është prioritet strategjik për Ministrinë e Punëve të Brendshme në drejtim të forcimit të lidhshmërisë rajonale, thellimit të bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbështetjes së proceseve integruese evropiane. Hapja e kësaj pike kufitare paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve për sigurinë dhe kontrollin kufitar, përmes vendosjes së mekanizmave bashkëkohorë dhe efikasë për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e kufirit, në përputhje me standardet evropiane”, theksoi ministri Toshkovski.
Në takim u theksua se hapja e pikës kufitare “Markova Noga” do të kontribuojë në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, turistik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve, si dhe në përmirësimin e komunikimit dhe lidhjeve të përditshme të popullsisë lokale në të dy anët e kufirit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se projekti ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e rajonit të Prespës dhe paraqet një shembull konkret të mbështetjes së suksesshme evropiane në avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
Vendosja e pikës kufitare “Markova Noga”, pas më shumë dekadash nga mbyllja e saj, paraqet një simbol të rëndësishëm të besimit, bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët për një rajon të lidhur dhe të begatë, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane.

Accessibility Menu