Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në një paraqitje televizive theksoi se perceptimi i qytetarëve për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, ka shënuar një rritje dyshifrore, e cila, siç theksoi ai, është rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve dhe rezultateve të intensifikuara që MPB-ja po i realizon që një vjet e gjysmë deri në dy vjet.
Duke prezantuar të dhëna krahasuese për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit ekonomik për periudhën 2023–2025, ministri vuri në dukje se në vitin 2023 u zbuluan 126 vepra penale, në vitin 2024 206, dhe në vitin 2025 290 vepra penale, që paraqet një rritje prej rreth 130 përqind. Këto shifra, siç theksoi, korrespondojnë plotësisht me perceptimin e qytetarëve se MPB po zhvillon një luftë serioze dhe pa dallim kundër korrupsionit.
Sa i përket numrit të kryerësve, në vitin 2023 u evidentuan 185 persona, në vitin 2024 363, ndërsa në vitin 2025 u zbuluan 678 kryerës të lidhur me vepra penale korruptive. Bëhet fjalë për vepra penale të kryera në vitet e mëparshme, por të zbuluara në vitin 2025, për të cilat u ngritën kallëzime penale përkatëse.
Ministri theksoi se më mbresëlënëse janë shifrat lidhur me dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit. Në vitin 2023, kallëzimet e ngritura penale kishin të bënin me një dëm të përgjithshëm prej 5.7 milionë euro, në vitin 2024 - 24 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 u ngritën kallëzime penale madje për 380 milionë euro, gjë që paraqet një rritje prej rreth 66 herësh krahasuar me vitin 2023.
Toshkovski theksoi se rezultatet e këtilla janë produkt i një qasjeje institucionale dhe pune të koordinuar jo vetëm të MPB-së, por edhe të institucioneve të tjera kompetente në zbulimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Policinë Financiare.
Duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë, ministri theksoi se viti 2025 është historikisht viti më i mirë në 20 vitet e fundit për sa i përket numrit të veprave të kryera penale, me gjithsej 17,972 vepra penale të regjistruara. Si plotësim, shkalla e zbardhjes së krimeve është 67.2 përqind, që, gjithashtu, paraqet përqindje më të lartë në dy dekadat e fundit.
Ministri Toshkovski shprehu mirënjohje publike ndaj nëpunësve policorë për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe të gjitha formave të krimit do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, ndërkaq fokusi i opinionit në periudhën e ardhshme me të drejtë do të drejtohet edhe ndaj veprimeve të prokurorisë dhe gjyqësorit, si hallka kryesore në sistemin e sundimit të ligjit.